Meta: Nuk do ta përsëris më – të mbyllet demarkacioni me Malin e Zi

Meta: Nuk do ta përsëris më – të mbyllet demarkacioni me Malin e Zi

Demarkacioni të kalohet sa më parë, ka porositur Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi në Tiranë.

“Çështja e demarkacionit me Malin e Zi të mbyllet. Republika e Kosovës nuk ka kohë të humbë më tepër. Politikanët kosovarë duhet të shohin larg dhe të mos lënë proceset të pambaruara. Nuk do të lodhem së përsërituri këtë”, ka thënë Meta, thuhet në komunikatën e ministrisë së Diasporës.

Nga ana tjetër, Presidenti Meta ka përsëritur mbështetjen e shtetit shqiptar në proceset e reja progresive rreth diasporës.

“Pothuajse gjysmën e popullit e kemi jashtë vendit dhe besoj, ka ardhur koha që kujdesi i dy shteteve tona ndaj shqiptarëve që jetojnë në diasporë të marrë forma konkrete”, ka thënë me këtë rast Zv/Kryeministri Dardan Gashi.

Në takimin e dy qeverive, asaj shqiptare dhe kosovare më 27 nëntor, janë planifikuar dhe nënshkrimi i tri marrëveshjeve të dy ministrive të Diasporës të të dyja vendeve.​