Meta: Pandemia po del jashtë kontrollit, qeveria të marrë masa

Meta: Pandemia po del jashtë kontrollit, qeveria të marrë masa

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, duke iu referuar të dhënave më të fundit për infektimet e reja me COVID-19 thotë se pandemia po del jashtë kontrollit, njofton Insajderi.

Kreu i shtetit akuzon qeverisë se deri tani nuk ka plan konkret për nisjen e vaksinimit masiv.

“Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër. Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura. Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tej mbushura. Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë”, shprehet Meta.

Presidenti i bëri thirrje qeverisë që të mos e trajtojë rritjen e numrit të infektimeve si numra për statistika ditore dhe bën apel që të marrë masa për të frenuar rritjen e mëtejshme.

“Është e pa tolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19. Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës. Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme. Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID”, përfundon Meta./Insajderi.com