Miftaraj: Të gjithë të dënuarit s’mund të kandidojnë, përfshirë edhe Kurtin

Miftaraj: Të gjithë të dënuarit s’mund të kandidojnë, përfshirë edhe Kurtin

Drejtori ekzekutv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka deklaruar se me aktgjykimin e sotëm të plotë të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë atyre që janë të dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë, u ndalohet të kandidojnë për postin e deputetit, njofton Insajderi.

Sipas Miftarajt, ky vendim vlen edhe për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, të cilit Apeli ia ka vërtetuar dënimin me kusht në verën e vitit 2018, që i bie se ende nuk kanë kaluar tri vjet.

Njohësi i çështjeve juridike kështu deklaroi për Gazetën Online Insajderi, ku tutje shtoi se aktgjykimi i sotëm vetëm sa ka konfirmuar atë që ka thënë Kushtetuesja në vendimin e parë për këtë rast, më 21 dhjetor.

“Me këtë aktgjykim, Kushtetuesja ka rikonfirmuar atë që është thënë në vendim e parë, se të gjithë të dënuarit në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë nuk do të mund të kandidojnë për deputetë, përfshirë edhe Kurtin”, ka thënë Miftaraj për redaksinë.

Ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese ka ardhur si rezultat i kërkesës së LVV-së për vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, vota e të cilit ishte përfundimtare për krijimin e Qeverisë Hoti.

Kushtetuesja shpalli të pavlefshme votën e Arifit, kësisoj edhe rrëzoi Qeverinë Hoti dhe obligoi ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet.

Zgjedhjet duhet të mbahen më së largu 40 ditë nga dita kur ato i shpall Osmani. /Insajderi.com