
Vetëm gjatë vitit 2018 janë konfiskuar 1171 armë dhe rreth 13 mijë copë municione. Kështu ka bërë të ditur Riza Shillova nga Departamenti për Hetime në Policinë e Kosovës.
Shillova sot gjatë lansimit të fushatës për legalizimin e armëve me moton “me letra”, ka treguar se 31 vrasje janë kryer nga armët e zjarrit.
Ai është shprehur i brengosur me numrin e madh të veprave penale të shkaktuara nga posedimi i armëve. Sipas tij procesi i legalizimit do të ndikonte në uljen e vrasjeve, shkruan Insajderi.
“31 vrasje janë kryer nga armët e zjarrit. Kemi konfiskuar armë edhe pse ky trend i konfiskimit ka rënë. Në vitin 2017 kemi 1200 armë të konfiskuara, kurse ne vitin 2018 kemi 1171 armë rreth 13 mijë copë municione dhe këto shifra tregojnë se kemi sasi të madhe të armëve që i posedojnë qytetarët”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, Koordinatori i Strategjisë për kontrollimin e armëve të vogla, dhe të eksplozivëve, Izmi Zeka, tha se ky proces është me rëndësi për Kosovën dhe një prej prioriteteve të MPB në adresimin e saj për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta.
Sipas tij, ndonëse Kosova ka bërë progres në kontrollin e armëve ende mbetet sfidë kontrollimi i armëve, derisa ka theksuar se Policia e Kosovës ka sekuestruar rreth 14 mijë armë.
Zeka tuje tha se përdorimi i armëve të vogla dhe të lehta paraqesin kërcenim për qytetarët dhe jetën e tyre dhe gjendjen socio-ekonomike.
Gjatë ditës së sotme, Ministria e Punëve te Brendshme ka organizuar konferencë për media ka lansuar me fushatën për legalizimin e armëve me moton “me letra”, cila mund të bëhet nga 17 dhjetorit deri në 17 qershorin e vitit 2019./Insajderi.com