Mijëra eurot e qejfit që do të shpenzohen për 15 ditët e fundit të vitit

Mijëra eurot e qejfit që do të shpenzohen për 15 ditët e fundit të vitit

132 mijë e 790 euro kanë përgatitur shtatë komunat më të mëdha të Kosovës për t’i shpenzuar për festat e fund vitit. Vetëm Komuna e Prishtinës, ka paraparë hiç më pak se 75 mijë euro për ta dekoruar kryeqytetin për festat e fundvit. Në anën tjetër Komuna e  Pejës vazhdon të mos e shpenzojë asnjë cent për ndërrimin e motmotit as këtë vit, pavarësisht se thonë që qyteti do të dekorohet.

Dekorimi i kryeqytetit të Kosovës – Prishtinës nuk ka filluar ende, ani pse për dekorimin e qytetit janë paraparë të shpenzohen 75 mijë euro. Kompania që ka fituar tenderin për dekorimin e kryeqytetit e ka fituar atë në vlerë të 54 mijë eurove, vlerë më e  ulët se që është paraparë nga Komuna.

Arsyeja përse nuk ka filluar ende dekorimi i Prishtinës është pikërisht tek tenderi i fituar nga kompania. Një kompani tjetër që kishte qenë në garë është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), çka ka stagnuar dekorimin e kryeqytetit, raporton Insajderi.

Zyrtari për media në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë shkurt për Inajderin se arsyeja që janë caktuar 75 mijë euro është për shkak të sheshit të ri ‘Adem Jashari’ afër objektit të vjetër të Komunës.

Janë ndare 75.000 euro për dekorimin e shesheve të Kryeqyteti, meqë është shtuar edhe sheshi ‘Adem Jashari’. Por, tenderi është fituar me vlere me te ulet, për 54.000 euro. Meqë ka pas ankese nga një kompani tjetër, lënda është në Organin Shqyrtues te Prokurimit. Presim që OShP ta trajtoje sa me shpejte, në mënyrë që të mos ketë vonesa”, ka deklaruar Tahiri.

Komuna e dytë që do të shpenzoi më së shumti për dekorimin e qytetit për fundvit është komuna e Prizrenit. Kjo komunë ka paraparë shumën prej 30 mijë euro që të dekorohet qyteti.

Lis Dorambari, zyrtari për media në Komunën e Prizrenit ka thënë për Insajderin se dekorimet nuk kanë filluar ende. Ato do të fillojnë pas nënshkrimit të kontratës dhe do të zgjasin dy javë.

“Drejtoria e Shërbimeve Publike i ka përfunduar të gjitha procedurat paraprake, dhe tashmë ka mbetur vetëm nënshkrimi i kontratës me punëkryesin, për fillimin e punimeve për dekorim të qytetit. Nënshkrimi i kontratës do të bëhet nesër, dhe menjëherë më pas, do të fillojnë edhe punimet për dekorim”.

“Dekorimi do të bëhet në gjithë zonën e parë historike të qytetit, përfshirë një pjesë të lumit Lumbardhi dhe dy objektet komunale (Shtëpia e Bardhë dhe Administrata Komunale). Punimet parashihen të përfundojnë brenda 2 jave. Për këtë projekt, janë ndarë 30 mijë euro nga ana e Drejtorisë”, thuhet në përgjigjet e Komunës së Prizrenit për Insajderin.

Komuna e Tretë që do të shpenzoi më së shumti për festat e fundvitit është ajo e Gjakovës që udhëhiqet nga Ardian Gjini.

Kjo komuna ka përgatitur 19 mijë e 780 euro për ta dekoruar qytetin e Gjakovës. Blerta Qala nga kjo komunë i ka thënë Insajderit se qyteti do të dekorohet nga rruga “UÇK” dhe parku i madh i qytetit.

As kjo komunë nuk ka filluar dekorimin e qytetit. Dekorimi do fillojë nga mesi i muajit dhjetor.

“Buxheti i ndarë nga Komuna e Gjakovës për dekorimin e qytetit për Festat e fundvitit është 19.780 euro. Planifikohet të dekorohet rruga ‘UÇK’ dhe ‘Parku i madh i Qytetit’ do të dekorohen edhe pjesë tjera të qytetit që do të financohen nga ana e donatorëve”.

“Në Tregun e Vitit të Ri do të vendosen 25 shtëpiza nga druri dhe do të dekorohen  pjesët e lartë përmendura. Dekorimi do të filloj nga mesi i dhjetorit”, ka deklaruar Qala.

Komuna e katërt me shpenzimet më të mëdha është Ferizaj. Kjo komunë ka paraparë shumën prej 10 mijë eurove, që me to ta dekoroj qytetin.

Ferizaj do të dekorohet më herët se komuna e Gjakovës. Ferizajasit do ta ndjejnë atmosferën e fundvitit para 10 dhjetorit.

”Qyteti do të jetë ë dekoruar para datës 10 dhjetor, ndërsa vlera e parashikuar do të jetë nga 9  mijë deri 10 mijë euro maksimumi. Do te ketë dekorime që ë përgjigjen festave të fundvitit si bredhi  dhe figura tjera të zakonshme”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media nga Komuna e Ferizajt.

Komuna që udhëhiqet nga Agim Bahtiri dëshiron të sfidojë Prishtinë

Komuna e Mitrovicës nuk ka hequr dorë assesi nga koncerti. Nëse bashkimi i dy qyteteve të Mitrovicës nuk ka ndodhur ende e që nuk ka qenë arsyeje për ndonjë koncert, Komuna e Mitrovicës do të mbajë koncerte netët e fundit të këtij viti.

Tafil Peci, drejtor i Kulturës dhe Rinisë në Komunën e Mitrovicës, thotë se derkorimi i qytetit ka filluar dhe se pritet të përfundojë deri në fund të kësaj jave.

Ai tregon se plani për dekorimin e qytetit është bërë sikurse në Prishtinë. Thotë se janë vendosur kioska të vogla sikurse në Prishtinë ku qytetarët mund të shërbehen me kafe dhe qaj.

Po kanë filluar dekorimi i qytetit që nga e shtuna, por nuk kanë përfunduar ende por besoj që brenda dy a po tri ditëve kryhet. Janë vendos thuajse 70% bina, dritat se çdo ditë janë ka punojnë se është një projekt mjaftë i madh dhe njëri më të mëdha për dekorimin e qytetit e shumë pak ka me pas dallim prej Prishtinës”, ka deklaruar ai.

“Janë vendosur edhe ato kioskat e vogla sikurse në Prishtinë ku qytetarët munden me u shërbyer me kafe apo qaj. Në bashkëpunim me shumë kompani se jo vetëm komuna se ne nuk kemi mundësi me e mbështet të gjitha”, ka shtuar më tej ai.

Peci thotë se plani i Komunës këtë vit është që përmes koncertit t’i mbaj qytetarët e Mitrovicës në qytet, e jo të shkojnë në Prishtinë.

“Çdo natë do të ketë koncert që të rinjtë të argëtohen. Ka me pas edhe emra të njohur, por për çdo rast besoj që fundi i kësaj jave do të jetë e kryer se nuk është lehtë me doktorua gjithë atë shesh”

“Po ashtu komuna i ka dhënë 2 mijë e 500 euro për një koncert të një organizate tjetër, veç kryesisht janë diku rreth 5 mijë e 500 euro që janë shpenzuar nga komuna vetëm për festa të fund vitit”, ka deklaruar ai për Insajderin.

Për dallim nga Komunat e tjera, ajo e Gjilanit ka paraparë që për festat e fundvitit t’i shpenzoi 2 mijë e 500 euro. Madje kjo komune e ka paraparë që dekorimin e qytetit do ta bëjë e njëjta komunë që do ta fitojë tenderin për ndriçim publik.

“Datën e saktë nuk mundem me e thënë sepse jemi duke pritur përgjigjen prej OSHP-së, për shkak se ka ankesa nga një operator tjetër, është mbajtur seanca këtë javë dhe eksperti ka dhënë mendimin pozitiv për komunën tash janë duke pritur vetëm vendimin e panelit që të vazhdojë me procedura”.

“Në sapo ta nënshkruajmë kontratën do të fillojmë me dekorimin e qytetit sepse aty i kemi të paraparë materialin për dekorim”, ka deklaruar Naser Korqa nga kjo komunë.

“Viteve të kaluara për tri vite po flas ka kushtuar nga 2 mijë deri në 2 mijë e 500 euro dekorimi i qytetit për shkak se po futemi me çmime të lira. Edhe këtë vit çmimi do të jetë i njëjtë 10 apo 15% më shumë por jo më i lartë”, ka deklaruar ai.

Më tej Korqa ka thënë se për këtë vit kjo komunë nuk parasheh që të mbajë koncert. Kjo për shkak se sipas tyre nuk po ka interesim nga qytetarët.

“Për koncert të martën kemi pasur takim dhe ende nuk kemi marrë ndonjë vendim, por sipas të gjitha gjasave natën e vitit të ri nuk do të ketë koncert sikur vitet e tjera. Për shkak se nuk po është i suksesshëm. Nuk po ka masë të madhe të njerëzve, kështu që besoj që këtë vit nuk do ta organizojmë fare, por do ta shohim”, kë treguar ai.

Por një komunë tjetër në fakt nuk ka shpenzuar asnjë cent për dekorimin e qytetit. Komuna e Pejës ka vendosur edhe këtë vit që të mos shpenzoi. Durim Sheremeti këshilltar i kryetarit të Komunës ka thënë se qyteti dekorohet në bashkëpunim me bizneset.

Thotë se bizneset kanë shfrytëzuar në ndërkohë hapësirat e komunës për promovim, andaj dekorimin e qytetit tash do ta bëjnë ato.

“ Komuna e Pejës nuk do të shpenzojë asgjë dhe as nuk kemi planifikua për shkak se kemi pasur që nga fillimi kontakte me bizneset dhe është vullneti i tyre që të bashkëpunojmë. Kemi pasur bashkëpunim gjatë gjithë vitit që kur ata kanë pasur nevojë për promovim apo reklamim kanë përdorur hapësirat e qytetit dhe për këtë kemi ndërtua këtë trup që do të koordinohet nga drejtori i financave të Komunave”, ka deklaruar ai.

Sheremeti thotë se arsyeja që Komuna e Pejës nuk do të shpenzoi është për shkak që dëshiron ta kursej buxhetin.

“Komuna e Pejës ka një iniciativë në bashkëpunim me bizneset për shkak që me e kursyer buxhetin, kështu që bizneset kanë me u taku të premten ku do të vendoset për detaje të tjera. Rrugët në qendër të Pejës do të dekorohen si dhe sheshi, por në çfarë forme do të vendoset nesër”, ka deklaruar Sheremeti./Insajderi.com