Miku i shtëpisë deshi ta dhunonte seksualisht 73-vjeçaren në fshatin Shalë

Miku i shtëpisë deshi ta dhunonte seksualisht 73-vjeçaren në fshatin Shalë

Një 53-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë, pasi akuzohet se ka tentuar të përdhunojë një të moshuar.

Ngjarja ka ndodhur në Cërrik, ndërsa i arrestuari është identifikuar si T. Allkja, banues në fshatin Shalë.

Ky i fundit u arrestua në flagrancë nga Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik. 53-vjeçari rezulton me precedent penal, pasi është dënuar më parë për veprën penale “Dhunë në familje”.

Allkja dyshohet se ka hyrë në banesën e shtetases R.T. 73 vjeçe, banuese dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të me dhunë, pasi në banesë nuk ka pasur asnjë familjar.

Policia sqaron se mes 53-vjeçarit dhe familjes së të moshuarës ekziston një lidhje shumë e gjatë miqësie. Dyshohet se autori ka qenë në gjendje të dehur dhe ka shkuar për një vizitë të rastit në banesën e të moshuarës, e cila jeton me djalin dhe familjen e tij. Por, duke parë që e moshuara ka qenë e vetme dhe nën efektin e alkoolit, Allkja ka tentuar ta përdhunojë, duke e shtrirë me forcë në një nga divanet e banesës.

Por, 73-vjeçarja ka nisur të bërtasë dhe menjëherë i kanë ardhur në ndihmë fqinjët, të cilët më pas lajmëruan Policinë për atë që kishte ndodhur. E moshuara ka deklaruar në Polici se miku i familjes kishte shkuar për vizitë, por kur e pa që ajo ishte e vetme ka tentuar ta përdhunojë.

Ndërkohë, 53-vjeçari nuk i ka pranuar akuzat e të moshuarës duke deklaruar se ajo gënjente, ndërsa dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur.

Rreth dy vjet më parë, ai është dënuar për dhunë ndaj bashkëshortes, shkruan “Panorama”.

Çështja i ka kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura e mbetur në tentativë”. “Nga Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Cërrik, u arrestua në flagrancë shtetasi: Tahir Allkja, 53 vjeç, banues në fshatin Shalës, Cërrik,(i dënuar më parë për veprën penale ‘Dhunë në familje’). Ky shtetas u arrestua pasi dyshohet se ka hyrë në banesën e shtetases R. T. 73 vjeçe, banuese në Cërrik dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të, pasi në banesë nuk ka pasur asnjë familjar”, bëhet e ditur nga Policia.