Mikullovci tregon kushtin për ta thirrur seancën e radhës

Mikullovci tregon kushtin për ta thirrur seancën e radhës

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, po zotohet se më nuk do të procedojë datë për vazhdimin e seancës konstituive edhe nëse PAN e kërkon këtë gjë.

Mikullovci theksoi për Gazetën Express, se duhet mbledhur partitë dhe të diskutojnë për koalicione të reja, në mënyrë që ai ta thërrasë seancën e re. Thotë se përveç tij, askush nuk mund të thërrasë seancë konstituive.

“Nuk ka të drejtë askush pos meje të thërras seancë. Unë nuk thërras seancë deri sa partitë të mblidhen e të diskutojnë si dhe të bëhen koalicionet e reja, prishjet, dhe të bëhen gati për ta vazhduar seancën”, ka thënë ai.

Mikullovci tutje theksoi, se menjëherë pas përfundimit të seancës, është mbledhur kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje, për të gjetur zgjidhje rreth sigurimit të 61 deputetëve për ta proceduar në Kuvend, emrin e kandidatit nga ky subjekt për krye parlamentar.

“ Unë i kam thënë VV-së se ata patën mbledhje, dhe unë isha pjesë e kryesisë, ata tash po mundohen pasi Kadri Veseli tha bëni 61 votë dhe Kuvendi është i juaji. Ata tash po mundohen që t’i bëjnë numrat. Kur t’i bëjnë numrat e të thërrasin seancë. Unë kur të merrem vesh vetëm më VV-në dhe ata që bëjnë koalicion. Nuk e di se me kënd po dëshiron të bëjë VV-ja koalicion”, ka sqaruar Mikullovci.

E ndërkohë pas deklarimeve të koalicionit PAN se nuk i kanë numrat, si dhe polemikat në mes të këtij të fundit dhe zyrtarëve të VV-së, kryesuesi i saj, deputeti Adem Mikullovci e ndërpreu atë, duke thënë se do t’i njoftojë me kohë deputetët për vazhdimin e saj.