Milionat turke në tregun e Kosovës – 725 kompani turke me kapital prej 1.2 miliardë euro operojnë brenda vendit

Milionat turke në tregun e Kosovës – 725 kompani turke me kapital prej 1.2 miliardë euro operojnë brenda vendit

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovë, tregojnë se 725 kompani të Turqisë, me një kapital prej rreth 1.2 miliardë euro operojnë në tregun e Kosovës, duke bërë Turqinë të mbetet një ndër partnerët më të mëdhenj tregtar dhe një nga tre shtetet me praninë më të madhe të investimeve direkte në Kosovë, pas Gjermanisë dhe Zvicrës.

Këto kompani veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në fushën e energjisë, telekomunikacionit, sistemit bankar, arsimit, tekstilit dhe shëndetësisë, raporton REL, transmeton Insajderi.

Sipas të dhënave të Odës Tregtare Kosovare – Turke, investimet nga Ankaraja zyrtare në Kosovë nga viti 2009 deri më 2019 kanë qenë rreth 450 milionë euro. Sektori energjetik përbën 31 për qind të te gjithë investimeve, pasuar nga sektori i financave dhe ai i transportit, thuhet në një përgjigjeje nga kjo Odë për Radion Evropa e Lirë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, importi i mallrave nga Turqia në Kosovë ka arritur vlerën prej 431 milionë euro, kurse nga muaji janar deri në korrik të këtij viti, Turqia ka importuar në Kosovë mallra në vlerë prej 220 milionë eurosh.

Ndërkaq, eksporti i produkteve “Made in Kosova” për në Turqi, vitin e kaluar ka qenë tetë milionë euro, përderisa gjatë këtij viti janë eksportuar mallra në vlerë prej gjashtë milionë eurosh.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu thotë se qasja e investimeve të shtetit turk në Kosovë duhet të ndryshojë. Ai shton se destinimi i investimeve duhet të orientohet në hapjen e vendeve të reja të punës dhe jo në ndërtimin e objekteve të kultit.

“Çka është më shqetësuese, në qoftë se bëhet një analizë e qasjes se Turqisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, në shtetet e Ballkanit Perëndimor investimet turke kanë efekte pozitive, qoftë në punësim, prodhim, qoftë në përmirësim të bilancit të pagesave. Kurse, në Kosovë për fat të keq, këto ndihma vijnë shumë më tepër për ndërtim të xhamive, renovim të teqeve të ndryshme dhe e tëra kjo nuk krijon stabilitet ekonomik dhe social”, tha Gërxhaliu për REL.

Në anën tjetër, profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Blerim Ramosaj shprehet se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë ndonjë mënyrë, që t’i japë përparësi investitorëve nga shtetet perëndimore.

“Përparësia e investimeve nga vendet e Perëndimit është sepse janë kompani ndërkombëtare me staf dhe eksperiencë ndërkombëtare, në fusha të caktuara. Nuk është i njëjtë sikurse një investitor që vjen nga vendet e Lindjes, i cili mund të sjellë para, por nuk mund të sjellë eksperiencë”, thekson Ramosaj.

Një nga objektet e kultit që do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke në Kosovë, me kosto prej rreth 40 milionë eurosh, është Xhamia e Madhe në Prishtinë, ndërtimi i se cilës ka filluar gjatë këtij viti në Lagjen “Dardania”.

Përveç investimeve direkte, në Kosovë disa nga kompanitë me kapital më të madh financiar janë dhënë më koncesion konsorciumeve turke.

Konsorciumi turko-francez, Limak –Aeroport de Lyon, në vitin 2010 ka marrë me koncesion për 20 vjet Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, me obligimin që të investojë mbi 100 milionë euro në të.

Ndërsa në vitin 2012, konsorciumi turk Limak–Çalik privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, duke e blerë atë për 26.3 milionë euro.

Bechtel-Enka, konsorciumi amerikano-turk, ka bërë ndërtimin e dy autostradave, atë që lidhë Kosovën me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me një vlerë mbi 1.6 miliard euro. /Insajderi.com