Mimoza Kusari-Lila bashkon votën me Xhavit Halitin për një projektligj

Mimoza Kusari-Lila bashkon votën me Xhavit Halitin për një projektligj

Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar këtë javë Projektligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve. Projektligji është votuar në parim nga deputetët. Nga 103 deputetët e pranishëm, 77 kanë votuar për, asnjë kundër dhe dy abstenime. Ligji synon të ndihmojë në luftën kundër keqpërdorimit, korrupsionit dhe abuzimit me autorizimet publike.

Dy deputetët që kanë abstenuar janë nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti dhe deputetja e Alternativës, Mimoza Kusar-Lila. Kjo është vërejtur edhe nga juristja dhe analistja e medieve Flutura Kusari.

“Mimoza Kusari Lila dhe Xhavit Haliti paskan abstenu gjatë votimit të projektligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve”, ka shkruar Kusari në profilin e saj në Facebook.

Ajo shprehet kritike që një depuete e opozitës abstenon një ligj të tillë. “Mirë o Mimoza me arsyetu këtë veprim të saj, se prej Xhavitit nuk kam naj pritje tybe”.

Ajo ka përgëzuar deputeëtt që kanë votuar projektligjin. “Bravo disa deputetëve të VV-së dhe të partive tjera opozitare që kanë votu në favor të projektligjit. I vetmi Xhavit Haliti kish abstenu gjatë votimit të projektligjit për konfiskimin e pasurisë. A thua pse?”, ka shkruar Kusari.

Mimoza Kusari-Lila ka sqaruar votën e saj lidhur me projektligjin në fjalë. “Po kemi abstenuar, por ka pasur të bëjë me çështje parimore politike dhe nuk ka pasur të bëjë me përmbajtjen e ligjit. Arsyeja pse kemi vendosur të votojmë kështu ka qenë e vendimit politik do me thënë të procesit që ka vazhduar në Kuvendin e Kosovës në kuadër të grupit parlamentar në të cilin jemi, vendim ky që është duke u rishikuar, por e rëndësishme është me pas të qartë që atë ditë është otuar dhe ka ecur në procedurë Kuvendi dhe votat individuale janë vota individuale, për ata që merren me këtë ju them se ne ju japim llogari atyre që na votojnë jo të tjerëve”, ka thënë Kusari-Lila për gazetën Insajderi.

Ndërsa, Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nuk ka kthyer përgjigje lidhur me votimin e këtij projektligji.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili e ka paraqitur projektligjin para deputetëve, ka thënë se ai është i mirë dhe duhet të marrë përkrahjen e tyre.

Ligji është cilësuar si më i avancuar se ai që është në fuqi, edhe nga deputetët, përfshirë ata të opozitës.

Ministri Tahiri tha se ka pasur katër debate të mëdha që MD, si propozues, i kanë adresuar brenda këtij projektligji.

“Definimi se kush është sinjalizues; a është çështje etike sinjalizimi; si duhet të bëhet sinjalizimi dhe çfarë përgjegjësie kanë institucionet tona për të ofruar mbrojtjen nga kërcënimet që u bëhen sinjalizuesve për shkak ta sinjalizimit të tyre”, ka thënë Tahiri.

“Mbi këtë bazë projektligji ka adresuar gjërat si në vijim: Është njohur sinjalizimi si mjet në përpjekjet tona në luftën kundër keqpërdorimit, korrupsionit dhe abuzimit me autorizimet publike. Është vendosur mbrojtja e interesit publik që e legjitimon sinjalizimin, është kategorizuar sinjalizimi i mospërmbushjes së obligimeve ligjore, dëmtimi i mjedisit, keqpërdorimi i parasë publike e disa të tjera”.