Ministër, deputet, dhe të panjohur në Google, profili i 11 të akuzuarve nga “Dosja e Shefave”

Ministër, deputet, dhe të panjohur në Google, profili i 11 të akuzuarve nga “Dosja e Shefave”

Me një telefonatë të thjeshtë 11 persona që kishin mbajtur pozita të larta shtetërore vendosnin për anëtarët e bordeve publike në vend si dhe pozita të tjera të larta. Këtë fuqi e kishin në vitin 2011, kur ishin përgjuar telefonatat e tyre që u publikuan në serinë e hulumtimeve, “Dosja e Shefave” të publikuar nga Insajderi, por 7 vite pas, vetëm pak prej tyre janë aktiv në jetën publike ose kanë fuqi të njëjtë ekzekutive.

Për ministrin Besim Beqaj e deputetin Zenun Pajaziti  e  Njazi Thaçin, këshilltar i kryetarit të Kuvendit, aktakuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës janë kokë-dhimbje më e madhe për shkak se ende vazhdojnë të jenë pjesë e institucioneve por të akuzuarit e tjerë nuk janë se i kanë mbijetuar skenës politike. Madje për disa prej tyre mezi gjenden informata në Google.

Adem Grabovci që kishte qenë personazhi kryesor i përfshirë në përgjime, ai dëgjohej duke i treguar për kandidatët, bashkë-partiaku i tij, Zenun Pajaziti i cili po vendoste për punësimin e tyre.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të premten aktakuzë kundër 11 personave që kishin qenë të përfshirë në “Dosjen e  Shefave”.

Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Xhavit Dakaj, Njazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Ismet Neziraj dhe  Rexhë Abazi janë personat ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë nga Prokuroria.

Adem Grabovci, që në bazë të përgjimeve shihej si person mjaftë i afërt me presidentin e vendit, Hashim Thaçin. Ai për herë të parë ishte bërë deputet në vitin 2007. Në të njëjtin vit ku më pas u emërua zëvendësministër i Transportit dhe i Telekomunikacionit.

Grabovci në bazë të përgjimeve të publikuara rrezikon dënimin me burg. Ai po ia lexonte emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit të ujësjellësit të Gjilanit, Zenun Pajazitit. Pajaziti i seleksiononte ata në bazë të përkatësisë politike, e jo në bazë të kritereve të kërkuara me ligj dhe me konkurs.

Në anën tjetër Pajaziti është deputeti i vetëm në Kuvendin e Kosovës, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për këtë çështje.

Pajaziti po ashtu kishte kandiduar për postin e të parit të Gjilanit. Ai kishte mbetur i treti në rundin e parë të Zgjedhjeve Lokale, duke mbetur jashtë garës së balotazhit mes Lutfi Hazirit të LDK-së Sami Kurteshit të VV-së.

Por përveç deputetit që është me aktakuzë, në Qeverinë Haradinaj gjendet edhe ministri i Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë, Besim Beqaj, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për të njëjtën çështje.

Adem Grabovci e Besim Beqaj kishin marrë kompetenca të plota nga Hashim Thaçi, që në krye të tri ndërmarrjeve publike, PTK, Infrakos dhe Traikos të vendoseshin njerëzit që përfaqësonin interesat e tyre.

Beqaj i kërkonte Grabovcit që të jenë të vëmendshëm për vendosjen e një ushtruesi të detyrës në bordin e PTK-së. Beqajt i duhej mendimi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi, se kë do ta emëronte për ushtrues detyre të PTK-së. Por që biseda e tyre do të vazhdonte në drek dhe jo përmes telefonit.

Aktakuzë po ashtu është ngritur ndaj Fatmir Shurdhaj, ish-zëvendësministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në nëntor të viti 2016 me kërkesën e presidentit të vendit, Hashim Thaçit, Shudhaj ishte bërë deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai së bashku me Nehat Baftiun kishin zëvendësuar, Fadil Demakun dhe Ramiz Kelmendin.

Por njëri prej 11 të akuzuarve do të ketë obligime  të dyfishta. Xhavit Dakaj përveç se do të përballët me aktakuzë në rastin “Pronto” ai është duke pasur punë me drejtësinë vendore tash e një kohë të gjatë.

Dakaj është i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai dyshohet se me ish-ministrin e Arsimit, Ramë Buja kanë keqpërdorur detyrën. Lidhur me këtë rast Gjykata Themelore i kishte shpallur fajtorë, por që Gjykata e Apelit kishte kthyer në rigjykim rastin e tyre.

Në anën tjetër kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, vazhdon të këshillohet nga personi me aktakuzë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Njazi Kryeziu është personi tjetër që po akuzohet nga Prokuroria. Ai dyshohet se kishte pasur ndikim për emërimin e bordit të ndërmarrjes së ujësjellësit të Prizrenit.

Bisedat telefonike në mes të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci dhe ish-nënkryetarit të kësaj partie, tani këshilltarë i Veselit tregonin se si klasifikoheshin kandidatët në mënyrën më klandestine. Kryeziu më herët kishte qenë kryesues i Kuvendit në Komunën e Prizrenit.

Adem Grabovci, ishte bërë fort nervoz kur Arbenita Pajaziti, kishte marrë më pak pikë për kryeshef të Agjencisë për Produkte Medicionale, sesa Ilir Dushi.

Në krye të panelit për vlerësim të kandidatëve ishte Ilhami Gashi. Grabovci, donte që në këtë pozitë të vinte, Pajaziti – një zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë, e përfshirë në rastin e korrupsionit me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Pajaziti problemin që dikur e kishte pasur me pikët për kryeshefe të Agjencisë për Produkte Medicionale, asaj të enjten i është shtuar një tjetër. Ajo do të përballet me drejtësinë vendore.

Me drejtësinë vendore do të ketë problem edhe një protagonist i “Dosjes së Shefave”, Ilhami Gashi. Në shumicën e paneleve për zgjedhjen e anëtarëve të Bordeve të kompanive publike, agjencive të pavarura dhe institucioneve tjera, Adem Grabovci e delegonte Ilhami Gashin.

Gashi ishte i gatshëm të çojë përpara procese edhe atëherë kur Ambasada Amerikane është kundër. Por, paraprakisht i duhet bekimi i Hashim Thaçit.

“Unë po mundona me qenë shumë racional. Edhe… bashkëshortes tënde të hënën, ka me ja krye amanetin”, i thoshte Gashi Grabovcit.

Rexhë Abazi, është akuzuar në cilësinë e ish-drejtor i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidrodrini” në Pejë.

Në një bisedë që ishte zhvilluar në dhjetor 2011, Grabovci bisedon me një person të paidentifikuar lidhur me caktimin e anëtarëve në ndërmarrjen “Hidrodrini”. Nga biseda që nis në gjuhën italiane, shihet se Grabovci është i afërt me këtë bashkëbisedues.

“Listat i kanë ba, një listë jam hi, tash kanë me na thirr në intervistë”, i raporton ky person, Grabovcit.

Lidhur me të akuzuarit tjerë mbetet një sfidë për të gjetur informacione për ta. Të akuzuarit për rastin “Pronto” nuk mund të gjinden as në Google, pavarësisht pozitave të tyre që kanë mbajtur.