Ministri Ekrem Mustafa nuk merr përgjegjësi për skandalin e nënshtetësive, fajëson komunat

Ministri Ekrem Mustafa nuk merr përgjegjësi për skandalin e nënshtetësive, fajëson komunat

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa, nuk ka marrë përgjegjësinë për skandalin e vjedhjes së identiteteve të kosovarëve dhe lehtësinë që kriminel të kërkuar nga Interpoli janë pajisur me dokumente zyrtare të Kosovës.

Mustafa në një përgjigje për Insajderin, ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme nuk i ka lëshuar nënshtetësitë. Ai ka fajësuar zyret e ofiqarisë nëpër komuna për këtë skandal.

“Problemi është në ofiqari sepse ata kanë lëshuar dokumente, dhe të gjithë janë nën hetim. MPB nuk ka lëshuar nënshtetësi te këta persona, përderisa ata kanë marrë nëpër nivele komunale duke e shfrytëzuar mënyrën e ofiqarive”.

“Ata punëtor nuk janë në kuadër të MPB, por janë punëtor të komunave”, tha Mustafa për Insajderin.

Mustafa, thotë se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka mundur t`i refuzoj dokumentet që sipas tij janë lëshuar nga komunat.

Por, kjo ministri ka sistemin AFIS, i cili ka për qëllim identifikimin automatik të gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografisë. Por pavarësisht kësaj të paktën dy persona Nejdet Cesuroglu dhe Iskender Sale, të kërkuar nga Interpoli kishte marrë nënshtetësitë me nga dy identitete, shkruan Insajderi.

“Komunat ju kanë lëshuar certifikata, nënshtetësi edhe kur kanë ardhë në MPB na nuk kena mujt me i refuzu sepse kanë qenë dokumente origjinale, sepse i kanë regjistruar edhe nëpër libra amëz sepse i kanë regjistru ofiqarët”, tha Mustafa për Insajderin.

Ministri Mustafa tha se është në dijeni të këtyre rasteve dhe se hetimet kanë nisur qe dy vite.

“Unë jam konsultuar për këto raste, këto janë ne hetim qe 2 vite, mënyra e marrjes se nënshtetësisë kosovare  bëhet në dy mënyra, në mënyrën e natyralizimit dhe përmes ofiqarive. Të gjitha rastet kanë qenë përmes ofiqarive asnjë nuk ka qenë përmes MPB”, tha Mustafa.

Insajderi ka nisur publikimin e Hulumtimit për vjedhjen e identiteteve të shqiptarëve dhe lëshimin e nënshtetësive ndaj personave të huaj të kërkuar nga Interpoli për vepra të rënda penale.

Të paktën tre trafikantë të drogës, një vrasës me pagesë, dhe një e dënuar me dhjetë vjet burgim në Turqi, kanë arritur të bëhen shtetas të Kosovës, duke u pajisur me të gjitha dokumentet.

Turku i gjetur i vdekur në Prishtinë, Nejdet Cesuroglu, në banesën e të cilit ishin gjetur 113 kilogramë heroinë, ka marrë dy identitete në Kosovë.

Njërin me emrin Lavdim Nimani dhe tjetrin, Ljuljzim Shalja. Iskender Sale, kishte marrë po ashtu dy identitete, Xhemaj Shala dhe Skender Sheremeti.

Vrasësi malazias, Mario Millosheviq, kishte marrë shtetësinë kosovare nën emrin, Miroslav Kostiq.

Ndërkaq, turkja, Ozden Gur, kishte marrë shtetësi me emrin Filloreta Rama.

Këta persona shtetësinë e kanë marrë duke paguar e korruptuar zyrtar të MPB-së./Insajderi.com

MPB NËN KTHETRAT E KRIMIT – TRAFIKANTË NDËRKOMBËTAR TË DROGËS PAJISEN ME SHTETËSI TË KOSOVËS

ADMINISTRATA NË DUAR TË KRIMIT: SI U PAJISEN ME SHTETËSI KOSOVARE TRAFIKANTËT TURQ TË DROGËS?