Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani gjatë vizitës së tij zyrtare në Washington, është pritur në takim nga përfaqësues të Bankës Botërore.

Ministri Hasani në Washington merr përkrahjen e Bankës Botërore

Ministri Hasani në Washington merr përkrahjen e Bankës Botërore

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani gjatë vizitës së tij zyrtare në Washington, është pritur në takim nga përfaqësues të Bankës Botërore.

Ministri Hasani është pritur nga Javier Suarez, Menaxheri i Bankës Botërore për Tregti dhe Konkurrencë për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, Damien Shiels dhe Daria Laverentieva, zyrtare për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Evropës dhe Azisë Qendrore.

Ministri Hasani me këtë rast ka falënderuar përfaqësuesit e Bankës Botërore për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin Kosovës e në veçanti Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Ai ka çmuar lartë angazhimin dhe përkushtimin e madh të Bankës Botërore. Sipas ministrit Hasani Banka Botërore ka qenë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim u bisedua për fillimin e implementimit sa më të shpejtë të projektit për Rritjen e konkurrueshmerisë dhe promovimit të eksportit, i cili do të ndihmojë institucionet e Kosovës në aspektin e përpilimit dhe zbatimit të strategjive dhe politikave zhvillimore, krijimit dhe zhvillimit të ambientit operacional për zhvillimin e ndërmarrjeve si dhe konsolidimit të mëtejmë të dialogut publiko-privat, i cili kap një vlerë prej 14,5 milionë euro.

Po ashtu është  shqyrtuar edhe mundësi e investimit në tregti dhe komunikacion, një projekt rreth 15 milionë dollarësh.

Kurse përfaqësuesit e Bankës Botërore i konfirmuan ministrit Hasani përkrahjen për Kosovën  për  realizimin e projekteve që do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së të bërit biznes.

Në këtë takime u diskutua edhe  për zhvillimet e fundit në fushën e  tregtisë dhe industrisë në Kosovë, progresin në implementimin e projekteve të financuara nga Banka Botërore, si dhe për financimin e projekteve të reja.