Ministri Hoxhaj nxjerrë në “ankand” 5 fanella të kombëtares së Kosovës

Ministri Hoxhaj nxjerrë në “ankand” 5 fanella të kombëtares së Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, tani edhe kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka shfrytëzuar finalen e Ligës së Kampionëve për të bërë fushatë.

Hoxhaj, në faqen e tij zyrtare të Facebook-ut, ka bërë një postim me përshkrimin “Pak pushim nga fushata”, duke ofruar 5 fanella për ndeshjen Kosovë – Turqi për 5 personat e parë të cilët qëllojnë të parët rezultatin e ndeshjes “Juventus – Real Madrid”.

“5 miqtë në Facebook që e qëllojnë të parët rezultatin, do të shpërblehen nga ekipi i fushatës me 5 fanella për ndeshjen Kosovë – Turqi”, shkruan në foton e postuar.

Përdoruesit e Facebook-ut të cilët kanë parë postimin kanë komentuar secili për opinionin e tyre se si do të përfundojë ndeshja, në mënyrë që të fitojnë fanellën.

Ndërsa Hoxhaj “mundohet” të “bëjë pauzë” nga fushata, ndjekësit nuk po e bëjnë pasi njëri prej komentuesve ka zgjedhur edhe të përfshijë parashikimin e tij për zgjedhjet e 11 qershorit. Sipas tij PDK do të marrë 43 për qind të votave. /Insajderi.com