Ministri i Drejtësisë kërkon të pezullohet dialogu me Serbinë

Ministri i Drejtësisë kërkon të pezullohet dialogu me Serbinë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë dialogun deri në një moment tjetër, njofton Insajderi.

Kështu është shprehur ai në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, ku ka thënë se duhet ndërprerë të gjitha aktivitetet që lidhen me Serbinë.

“Qeveria e Kosovës duhet të pezullojë dialogun deri në një moment tjetër. Qeveria e Kosovës është për vendosjen e drejtësisë, por gjykata duhet qartë të sqarojë se është gjykatë e Kosovës e nuk operon me “prova” të Serbisë”, ka thënë Selimi.

“Duhet më shumë transparencë nga Dhomat e Specializuara për tërë procesin që po kalojnë ish- ushtarët e UCK-së. Të gjithë jemi për drejtësi dhe asaj nuk i ikë askush”, ka shtuar ai.

Kjo mbledhje e ekzekutivit është mbajtur pas aktakuzave të konfirmuara tashmë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. /Insajderi.com