Ministri i Drejtësisë tregon pse i ra pishman vendimit për dorëheqje

Ministri i Drejtësisë tregon pse i ra pishman vendimit për dorëheqje

Liberalizimi nuk dështoi për faj të sistemit të drejtësisë dhe rasteve të shenjëzuara, e as ndikimit të politikës në drejtësi, ka thënë për KTV-në, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Në intervistën e fundit për 2018, Tahiri ka folur për të “arriturat” e dikasterit të tij, duke cilësuar se ka arritur që shtetit t’i japë politika të drejta për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ministri i Drejtësisë thotë se Kosova ka nevojë për proces të vetingut, por jo të atillë si në Shqipëri, pasi mendon se pjesë e sistemit prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës janë njerëzit më të mirë të sistemit.

Sipas ministrit, rasti i veteranëve dhe “Pronto” kanë hyrë në listën e rasteve të shenjëzuara dhe ai ka shtuar se askush nga politika, të mos ndërhyjë në sistemin e drejtësisë.

Shkuarja me motoskaf e Presidenti Hashim Thaçi në Ujman, ka qenë njëra ndër aventurat më të përfolura të mesit të 2018-s. Bashkë me të ishin edhe një pjesë e ministrave të PDK-së, që në publik njihen për besnikërinë ndaj ish-kryetarit të partisë së tyre.

48 orë pas ngjarjes, ministri i Drejtësisë, Ablerad Tahir dha dorëheqje, duke u parë kjo në publik si kërcenim për rrëzim të Qeverisë, pasi kryeministri Haradinaj ishte rreshtuar kundër idesë së presidentit për korrigjim të kufijve edhe kryeparlamentari kishte kritikuar vizitën e Thaçit në Ujman.

Por, Tahiri thotë se ka pasur arsye të tjera të dorëheqjes së tij. Ai përmend pakënaqësitë brenda punës së tij, por ka thënë se nuk është koha e përshtatshme për të folur për to.

Ministri i Drejtësisë thotë sa ka bërë një strategji, e cila ka për synim mbylljen e të gjitha lëndëve të pakryera deri më 2020, numri i të cilave është 270 mijë.

10 mijë prej tyre janë në komunat veriore, për të cilat ministri i Drejtësisë thotë se gjyqtarët dhe prokurorët atje janë pjesë funksionale e sistemit të drejtësisë së Kosovës.

Ministria e Drejtësisë ka në plan që më 2019 të ndryshojë Kodin e Procedurës Penale.