Ministri Liburn Aliu del sot para gjykatës

Ministri Liburn Aliu del sot para gjykatës

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar 6 Prillin si datë kur do të fillojë seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Liburn Aliut, pas aktakuzës së ngritur ndaj tij.

Për Gazetën Online Insajderi, këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Milinda Gashi.

Gashi bëri të ditur se seanca do të fillojë në orën 10:00.

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Kurti II akuzohet për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, gjatë kohës sa ishte drejtor në Komunën e Prishtinës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

Kryetari i kryeqytetit, ditë më parë ka deklaruar se Liburn Aliu “ka mbrojtur interesin e përgjithshëm duke mos lejuar disa ndërtime”.

Vetë Aliu ishte shprehur i befasuar, pasi deklaroi që “nuk ishte njoftuar që ka aktakuzë kundër tij”.

Por, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka demantuar Aliun.

“Pretendimet se i pandehuri L.A. (Liburn Aliu), nuk është pajisur me aktakuzë nga ana e Prokurorisë, nuk qëndrojnë, sepse nëse i referohemi Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, aktakuza i paraqitet gjykatës kompetente në aq kopje sa ka të pandehur dhe mbrojtës të tyre dhe një kopje shtesë për gjykatën. Gjithashtu, gjykatës i dërgohet edhe lënda komplete e hetimit nga prokurori i shtetit, nga neni 242, paragrafi 1 i KPP-së”, thuhet në komunikatën për medie të prokurorisë./Insajderi.com