Ministri Reçica, në panelin qendror të konferences regjionale në Berlin

Ministri Reçica, në panelin qendror të konferences regjionale në Berlin

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica me ftesë të Qeverisë Gjermane po merrë pjesë në konferencën e organizuar në Berlin mbi “Dinamikat e reja të teknikave dhe arsimit profesional në Ballkanin Perëndimor“  (New Dynamics of Technical and Vocational Education in the Western Balkans), e cila po zhvillohet në kuadër të procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor.

Sot në ditë e dytë u mbajt sesioni qendror i kësaj Konference, në të cilën kanë marrë pjesë Ministra nga Ballkani Perëndimor, të cilët i janë drejtuar të pranishmeve në panelin kryesor për të prezantuar përkushtimin e Qeverive të Ballkanit Perëndimor lidhur me arsimin dhe aftësimin profesional si dhe  modernizimin dhe dixhitalizimin e Shkollave profesionale.

Ndryshimet të cilat po ndodhin me zhvillimin ekonomik, teknologjinë, konkurencën globale, pritshmëritë e klientëve, përditësimin e kornizës ligjore dhe dixhitalizimin janë duke drejtuar kah një ndryshim i tregut të punës. Të gjitha këto sfida duhet të trajtohen dhe kërkojnë një angazhim të thellë me qëllim që të modernizojmë dhe dixhitalizojmë sistemin e shkollave të arsimit profesional.

Në këtë panel Ministri Reçica theksoi se së bashku me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë janë të përkushtuar dhe janë në bashkëpunim të ngushtë që të ngrisin nivelin e arsimit dhe trajnimit profesional në Kosovë me qëllim që  profilet e arsimit profesional të jenë në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe me këtë të kemi fuqi punëtore profesionale , e cila do të ndikojë në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe uljen  e papunësisë.

Ministri Reçica gjithashtu theksoi se Qeveria e Kosovës ka hartuar një numër të madhë të Dokumenteve Strategjike si: Strategjia Nacionale për Zhvillim, Plani Strategjik për Arsim në Kosovë, Korniza bërthamë e kurrikulave për arsim profesional , Strategjinë Sektoriale të MPMS dhe Planin e Punësimit të të rinjëve etj. Gjithashtu janë duke u ndërmarrë veprime konkrete si në vijim: Zhvillimi i standarteve të profilit, zhvillimi i kurrikulave bazuar në kompetenca dhe përditësimi në përputhje me nevojat e tregut të punës, e cila promovon qasje bazuar në kompetenca etj.

Vetëm një sistem i fortë i arsimit profesional mund të ul nivelin e papunësisë dhe mund të ngris nivelin e zhvillimit ekonomik. Nëse nuk kemi fuqi punëtore të kualifikuar në përputhje me nevojat e tregut të punës, atëherë nuk do të kemi as ekonomi të zhvilluar dhe as mirëqenie sociale, theksoi Reçica.

Në margjina të kësaj Konference Ministri Reçica i shoqëruar nga Ambasadori Astrit Zemaj, u takua me Sekretaren Parlamentare të Shtetit Federal të Gjermanisë, znj. Maria Flachsbarth dhe gjithasthu pati një takim të veçantë me Ministrat e vende të Ballkanit Perëndimor.