Ministria dështoi të nisë punimet për Muzeun e Historisë së Natyrës

Ministria dështoi të nisë punimet për Muzeun e Historisë së Natyrës

Mbi 90 për qind e mjeteve të parapara për Muzeun e Historisë së Natyrës kanë mbetur të pashpenzuara. Prej 200 mijë eurosh, sa janë paraparë për këtë vit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve deri më tani ka shpenzuar jo me shumë se 18 mijë e 600 euro.

Guri themeltar për këtë objekt ishte paralajmëruar për në fund të verës. Por puna për fillimin e ndërtimit ka mbetur në planet e vitit të ardhshëm të këtij institucioni, shkruan sot “Koha Ditore”. MKRS-ja tek në vitin 2018 planifikon t’i nisë procedurat tenderuese për ndërtimin e objektit muzeor në Fushë-Kosovë.

Mjetet e vetme që janë shpenzuar për këtë projekt sivjet kanë qenë gjysma e pagesës për kompaninë projektuese dhe pagesa për elaboratin gjeomekanik. Buxheti prej 200 mijë eurosh i paraparë për këtë vit nuk kishte pësuar me rishikim, por del se nuk është shpenzuar as dhjetë për qind. E kostoja totale e ndërtimit të Muzeut të Historisë së Natyrës ende nuk është llogaritur. Për vitin e ardhshëm janë paraparë të ndahen 300 mijë euro.

Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit e kishte pranuar muajin e kaluar projektin zbatues, i cili ka qenë dashur të ishte gati deri në mesin e muajit gusht. Por rezultatet nga shpimet gjeomekanike e kishin vonuar këtë proces, pasi që ishte dashur të bëheshin disa ndryshime të brendshme të projektit ideor.