Ministria e Financave ka shpallur jashtëligjshëm konkursin për Drejtor të ATK-së

Ministria e Financave ka shpallur konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, ende pa përfunduar mandati i drejtorit aktual, Sakip Imeri.  Legjislacioni fuqi nuk e lejon të shpallet konkursi për drejtor të ATK-së pa qenë e zbrazët kjo pozitë. Derisa drejtori aktual zyrtarisht ka mandate deri në janar 2019. Shpallja e konkursit mund të bëhet vetëm nëse drejtori jep dorëheqje ose i kërkohet të jap dorëheqje. Imeri thotë se nuk ka dhënë dorëheqje.

Ministria e Financave ka shpallur jashtëligjshëm konkursin për Drejtor të ATK-së

Sot (e premte) zyrtarisht është dita e fundit për të aplikuar për drejtor të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës. Konkursi i hapur në muajin tetor do të duhej të përfundonte me 10 nëntor por u vazhdua edhe  për një javë me arsyetimin se nuk kishin aplikuar gra dhe minoritete.

Por, i gjithë ky proces është i paligjshëm. Ministria e Financave ka shkelur një varg ligjesh dhe rregulloresh në momentin që e ka shpallur atë, shkruan Insajderi.

Ligji e përcakton se konkursi shpallet në momentin që përfundon mandati i drejtorit aktual. Drejtori aktual, Sakip Imeri ka mandat deri në janar. Tek atëherë do të duhej të shpallej konkursi.

Ministria e Financave konkursin e ka bazuar në nenin 3 të Ligjit për ATK-në, i cili thotë se Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së emërohet nga Kryeministri i Qeverisë Republikës së Kosovës bazuar në rekomandimin e dorëzuar nga ministria.

Këto rekomandime bëhen pas kompletimit të procesit të rekrutimit që iniciohet në pajtim me dispozitat e legjislacionit dhe rregulloreve në fuqi që lidhen me shërbimin civil të Kosovës.

Ligji për Shërbimin Civil të Kosovës për emërimin në pozita të larta drejtuese thotë se ato përcaktohen me rregullore të veçanta të nxjerra nga qeveria, shkruan Insajderi.

Të gjitha këto flasin për procesin.

Normë obligative është Udhëzimi Administrativ Nr.15/2010, për zbatimin e ligjit për ATK-në. Neni 4 i këtij ligji thuhet se rekrutimi i drejtorit të përgjithshëm do të fillojë vetëm pasi pozita të bëhet e zbrazët.

“Apo kur drejtori i përgjithshëm ekzistues ka prezantuar një dorëheqje të parevokueshme, apo është prezantuar një propozim për shkarkimin e tij dhe është ofruar evidencë e mjaftueshme në përputhje me paragrafin 2 të këtij neni”.

Gjithashtu edhe rregullorja nr.06/2010 për Procedurat e emërimit në pozitat e larta drejtuese në shërbimin civil, kushtëzon fillimin e procedurave me të qenit vendi i lirë për atë pozitë.

Saktësisht kjo specifikohet në nenin 13.

“Titullari i institucionit ku është  vendi i lirë i propozon ministrisë fillimin e e procedurave për emërimin e zyrtarit në pozita të larta drejtuese”, shkruan në rregullore.

Por Ministria e Financave, e shpalli konkursin me 26 tetor gati tre muaj para se të përfundonte mandati i drejtorit aktual.

Kjo ministri nuk i është përgjigjur pyetjeve të Insajderit, rreth kësaj ngutiue në shpalljen e konkursit.

I kontaktuar nga Insajderi, Sakip Imeri ka thënë se për shpalljen e konkursit është njoftuar përmes medieve. Ai thotë se funksionin dhe përgjegjësit e drejtorit të ATK-së i përcakton Ligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

Ndërsa në mënyrë specifike konkursi për këtë pozitë sipas Imerit përcaktohen në Udhëzimin Administrativ 15/2010.

Për më tepër Imeri thotë se nuk ka ofruar dorëheqje që do të hapte pastaj rrugën për procesin e rekrutimit të drejtorit siç kërkohet në udhëzimin administrative 15/2010.

“Nuk kam ofrua dorëheqje dhe askush nuk ka kërkua diçka të ngjashme. Vazhdoj të punoj me intensitet konstant në përmbushjen e detyrave të Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së. Aktualisht jemi në një punëtori me menaxhmentin e ATK-së për Planin e Reformave për periudhën 2019-2021”, tha Imeri.

Deri tash në këtë konkurs janë dy kandidatë të afërt me politikën.

Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija dhe ish-kandidat për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj.

Haraqija që ka qenë i akuzuar bashkë me ish-ministrin Valton Beqirit, nën dyshimet për financimin e një filmi, që Prokuroria pretendonte se nuk është realizuar asnjëherë. Në qershor të vitit 2017, Gjykata e Apelit kishte marrë aktgjykimin lirues ndaj tyre.

Haraqija, ka thënë për Insajderin se i plotëson të gjitha kushtet për këtë pozitë.

“Qe shtatë vite pa punu, edhe duhet me punu. Kushtet të gjitha i plotësoj. Dy vjet kryeshef, tri e gjysmë ministër, një vit zv/ministër i financave bash me ATK jam marrë, i dënuar s’jam”, tha Haraqija për Insajderin.

Totaj ka thënë për Gazetën Insajderi se synon postin e të parit të ATK-së, duke shtuar se është edhe kandidat serioz për kryetar të degës së PDK-së në Prizren.

“Po, po kam konkuruar për drejtor të ATK-së. Kam pas një ambicie për këtë post, por krahas asaj jam kandidat serioz për kryetar të degës së PDK-së në Prizren”, tha Totaj.

Aplikimin e tij, e vlerësoi si formal. Përderisa tha se është njëri nga themeluesit e ATK-së.

“Unë jam një prej themeluesve të ATK-së afër 19 vjet, dhe nuk më ka marrë mendja mos me qit një aplikacion i cili do të jetë një konkurrim formal. Zhvillimet tjera do të përcaktohen se në çfarë drejtimi do të lëvizim”, deklaroi Shaqir Totaj për Insajderin.

Përveç tyre në garë për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës janë edhe Ruzhdi Zeqiri,  Murat Mehmeti, Isen Lipovica, Hamit Mulaj, Ilir Murtezaj, Hamdi Hoxha, Ismet Alia dhe Besim Ahmeti. /Insajderi.com