Ministria e Financave ‘vëzhguese’ e ngjarjeve në Aeroport

Ministria e Financave ‘vëzhguese’ e ngjarjeve në Aeroport

Ministria e Financave, përkatësisht Departamenti për Partneritet Publiko-Privat, në bazë të kontratës është përgjegjëse për mbikëqyrjen e koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP).

Por deri më tani kur gjendja tashmë edhe ka eskaluar mes punëtorëve grevistë dhe menaxhmentit të Limak, nga kjo ministri thonë se vetëm janë duke i përcjellë me kujdes zhvillimet.

Ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

“Jemi duke përcjellë për së afërmi zhvillimet në Aeroport dhe lidhur me këtë çështje Departamenti Qendrorë për Partneritet Publik Privat ka takime të rregullta me Partnerin Privat në ANP, në mënyrë që të sigurohet që kjo çështje të adresohet në përputhje me ligjet dhe rregulloret e aplikueshme në Kosovë”, ka thënë Muharrem Shahini, Drejtor i Zyrës për Komunikim me Publikun.

Bazuar në dispozitat e Kontratës PPP për ANP, Partneri Privat, në këtë rast Limak, sipas Shahinit, i nënshtrohet të gjitha rregullave dhe ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës përfshirë këtu edhe Ligjin e Punës.

Ndryshe Sindikata e Aeroportit ka njoftuar vazhdimin e grevës ditën e diel, kur pritet të jetë grevë e përgjithshme dhe pa afat deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve.

Punëtorët përmes këtyre grevave po kërkojnë kompensim dhe benefite të tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.