Ministria e Infrastrukturës: Të gjitha rrugët janë të kalueshme

Ministria e Infrastrukturës: Të gjitha rrugët janë të kalueshme

Ministria e Infrastrukturës ka deklaruar se të gjitha rrugët janë të kalueshme dhe se  mirëmbajtja dimërore e auto-udhëve, rrugëve nacionale dhe e rrugëve rajonale po vazhdon të jetë në një intensitet të shtuar.

“Reshjet e lehta të borës të përcjellura gjatë vikendit, kanë bërë që të ketë intervenime shtesë në pothuajse të gjitha rrugët e mirëmbajtura ngë Ministria e Infrastrukturës, por që kjo nuk ka ndikuar në krijimin e vështirësive në komunikacion”, thuhet në njoftim.

Ministria e Infrastrukturës përmes raportit ditor ka informuar për gjendjen e rrugëve pas reshjeve të borës, ku thuhet se:

Shkaku i mjegullës, temperaturave nën zero (-0) dhe borës, në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës është intervenuar me shpërndarje të kripës dhe rërës, me qëllim të parandalimit të ngricave mbi shtresën qarkulluese. Rrugët mbeten të lira për qarkullim në këtë pjesë.

-Bora nuk e ka penguar qarkullimin e lirë të automjeteve as në rajonin e Pejës. Në këtë pjesë është intervenuar me largim të borës dhe shpërndarje së kripës sipas nevojës, duke theksuar intervenimet shtesë në viset malore të rrugës N9 Pejë-Kuqishtë-Bogë.

-Infrastruktura rrugore e rajonit të Ferizajt është krejtësisht e lirë për qarkullim, pa intervenime shtesë, apo ndonjë pengesë tjetër e krijuar shkaku i ndryshimeve atmosferike.

-Ndërkaq, sipas nevojës, po intervenohet me kripë edhe në rrugët e rajonit të Gjilanit.

-Në rajonin e Gjakovës është bërë shpërndarja e kripës në pothuajse të gjitha rrugët e mirëmbajtura nga MI, si preventivë ndaj krijimit të ngricave dhe sigurisë në komunikacion. Përndryshe, të gjitha rrugët janë të lira për qarkullim. /Insajderi.com