Ministria e Jashtme tregon nëse Ishujt Solomon e kanë tërhequr njohjen

Ministria e Jashtme tregon nëse Ishujt Solomon e kanë tërhequr njohjen

Ministria e Punëve të Jashtme përgënjeshtron raportimet në media për kinse pranim të dokumenteve zyrtare nga Ishujt Solomon për lëkundje të qëndrimit të këtij shteti ndaj Republikës së Kosovës.

Në një komunikatë për media, Ministria e Punëve të Jashtme rikonfirmon se nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtarë nga ky shtet dhe si rrjedhim nuk komenton ‘dokumente’ të pa verifikuara, që mund të qarkullojnë për qëllime propaganduese, agjenda të dyshimta dhe synojnë krijimin e lajme të rreme.

Ministria e Punëve të Jashtme thekson se përfaqësuesit e Republikës së Kosovës në vazhdimësi kanë mbajtur kontakte dhe kanë zhvilluar takime bilaterale të nivelit të lartë me përfaqësuesit këtij shteti, ku janë shprehur zotime të dyanshme për thellimin e këtyre marrëdhënieve në mes dy popujve dhe dy vendeve.

Ndryshe, Ishujt Solomon e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran në vitin 2014, ndërsa një vit më vonë janë vendosur edhe marrëdhënie diplomatike, nivel ky më i lartë i marrëdhënieve në mes dy shteteve.