“Policia ushtarake është një segment që e plotëson ushtrinë tonë e cila i ka munguar deri tani’- thotë Rashit Qalaj.

Ministria e Mbrojtjes: Projektligji për polici ushtarake një hap para për anëtarësim në NATO

Ministria e Mbrojtjes: Projektligji për polici ushtarake një hap para për anëtarësim në NATO

Themelimi i policisë ushtarake të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) po shihet si një hap i madh drejt anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Shefi i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Sefer Isufi deklaron për Shqip.com se me Projektligjin për ushtrinë e FSK-së dëshmohet se Kosova është duke shkuar rrugës së duhur për t’u anëtarësuar në NATO.

“Projektligji për policinë ushtarake është i rëndësishëm sepse kjo dëshmon se FSK po krijon komponentët e saj, strukturat e saj funksionale dhe operacionale në përputhje me praktikat më bashkëkohore që i kanë edhe ushtritë e vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s”.

Në seancën e 22 shkurtit të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, 61 deputetë të pozitës dhe opozitës votuan në parim pro Projektligjit për policinë ushtarake.

Ky Projektligj, siç thekson Isufi, ka për qëllim të “rregulloj dhe përcaktoj misionin, organizimin, autorizimet dhe detyrat e policisë ushtarake”.

Zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes sqaron se policia ushtarake ka autoritet dhe është e ngarkuar që të kujdeset edhe në taks forcat e FSK-së të cilat angazhohen në operacione jashtë vendit.

Shefi i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Sefer Isufi

‘Ekskluzivisht detyra e saj është të monitoroj, mbikëqyrë dhe të kontrollojë zbatimin e ligjit në kuadër të autoritetit të FSK-së.

E ka për obligim mbrojtjen e FSK-së gjatë shërbimit, stërvitjeve por edhe gjatë operacioneve të saj. E ka edhe për obligim të mbrojë dhe ruaj burimet njerëzore, materiale, teknologjike, sistemet ushtarake, sistemet e mbrojtjes’.

“Ajo (policia ushtarake) vepron brenda dhe jashtë kazermave të FSK-së. Është e autorizuar ta ushtrojë autoritetin e saj ndaj pjesëtarëve të uniformuar të FSK-së dhe punëtorëve civil të Ministrisë së Mbrojtës. Gjithashtu, ka autoritet të mbikëqyrë rendin publik por edhe rendin gjate operacioneve të FSK brenda perimetrit ku zhvillohet ai’, thekson Isufi.

Policia ushtarake, masë preventive kundër shkeljes së ligjit nga ushtarët e FSK-së

Anëtari i komisionit për Siguri dhe Mbrojtje nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, policinë ushtarake e sheh si një segment që i ka munguar FSK-së për vite të tëra.

Rashit Qalaj, PDK

Ndërsa e cilëson si një masë që do të ndikon në përmirësimin e disiplinës së ushtarëve.

“Policia ushtarake ka rëndësi të madhe për shkak se trajton edhe i ndihmon ushtarët e FSK-së që të jenë më të disiplinuar që të ju ikun veprave penale çoftë gjatë detyrës zyrtare çoftë jashtë kazermave të  FSK-së’ , tha Qalaj për Shqip-in.

Rrugëtimi i Kosovës për anëtarësim në NATO

Kosova aplikoi për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe në vitin 2012, katër vjet pasi shpalli pavarësinë e saj nga Serbia dhe të njëjtin vit që përfundoi edhe mbikëqyrja e Kombeve të Bashkuara mbi Kosovën.

Në vitin 2016, qeveria e Kosovës bëri përpjekje për të forcuar bashkëpunimin e saj me NATO-n, por ishte Spanja ajo që doli shprehimisht kundër saj. Në vitin 2017, megjithatë, NATO pranoi ta forcojë bashkëpunimin e saj me Kosovën, por vetëm midis forcës paqeruajtëse të KFOR-it dhe zyrës ndërlidhëse dhe ekipit këshillues të NATO-s në Prishtinë.

NATO ka një prezencë të forcave paqeruajtëse, KFOR, në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Mirëpo, janë katër shtete anëtare të NATO-s të cilat nuk e kanë njohur Kosovën si të pavarur – Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Greqia.

Për sa kohë këto vende nuk e bëjnë një gjë të tillë, nuk do të jetë e mundur që Kosova të anëtarësohet në NATO ose të futet në një marrëveshje për të bashkëpunuar me aleancën përmes programit të saj të Partneritetit për Paqe. Kjo pasi, neni 5 i traktatit themeltar të NATO-s ruan parimin e mbrojtjes kolektive – “një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm kundër të gjithë aleatëve”. /Insajderi.com