Ministria e Punës paralajmëron ndryshime në kriteret për kategorizimin e pensionistëve

Vërejtjet e pensionistëve kanë shtyrë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale që të ndërmarrë hapa për ndryshim në legjislacionin primar dhe sekondar që rregullon çështjen e kategorizimit të pensioneve. Një prej dokumenteve që është në procedurë të ndryshimit është Udhëzimi Administrativ me numër 09/2015 për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve-stazhit të punës.

Ministria e Punës paralajmëron ndryshime në kriteret për kategorizimin e pensionistëve

Ndonëse përfaqësues të pensionistëve kanë thënë se nuk e dinë nëse të gjitha vërejtjet që kanë pasur në këtë dokument do të përfshihen në draftin e ri të udhëzimit, ata shpresojnë që ato do të adresohen, pasi, sipas tyre, kanë qenë kritere diskriminuese. Në Ministrinë e Punës nuk kanë treguar se cilat do të jenë ndryshimet konkrete që do të bëhen, por vetëm e kanë konfirmuar që dokumenti në fjalë është në procedurë të ndryshimit.

Një prej ndryshimeve që është kërkuar nga pensionistët në këtë dokument është heqja e kufizimit të mosnjohjes së diplomave të marra pas 1 janarit të vitit 1991, si dokumente valide për kualifikim. Ky kufizim është vendosur në paragrafin e pestë të nenit 5, në të cilin flitet për kualifikimet e shfrytëzuesit të pensionit kontributpagues. Sipas paragrafëve 2,3, dhe 4 të këtij neni, shfrytëzuesi i pensionit kontributpagues me përgatitje shkollore të mesme konsiderohet pensionisti i cili ka të kryer shkollën e mesme, shfrytëzuesi i pensionit me përgatitje shkollore të lartë konsiderohet pensionisti i cili ka të kryer shkollimin e lartë, si dhe shfrytëzuesi i pensionit me përgatitje shkollore superiore konsiderohet pensionisti i cili ka të kryer fakultetin apo studimet pasuniversitare.

Ky nen përcakton që “Të gjitha dëshmitë për kualifikim të përcaktuara nga paragrafët 2,3 dhe 4 të këtij neni, duhet të jenë para vitit 01.01.1991”./Koha.net.