Ministria e Shëndetësisë sqarohet për tollovinë te salla “1 Tetori”

Ministria e Shëndetësisë sqarohet për tollovinë te salla “1 Tetori”

Ministria e Shëndetësisë është sqaruar për tollovinë e cila u krijua gjatë së premtes para sallës “1 Tetori” në Prishtinë, nga qytetarët e moshës mbi 65-vjeçare të cilët po prisnin në radhë për t’u vaksinuar ndaj COVID-19, transmeton Insajderi.

Zëdhënësi i MSh-së, Faik Hoti, deklaroi se “tollovia u shkaktua pasi qytetarët nuk e kishin kuptuar drejt informacionin se ku do të mund të drejtoheshin për të marrë dozën e parë të vaksinës”.

“Sot ishte fluks i madh i qytetarëve të interesuar sepse duket se disa nuk e kanë kuptuar drejtë informacionin e dhënë që nga dita e sotme procesi i vaksinimit shtrihet në të gjitha komunat përveç vaksinimit në sallën ‘1 Tetori’. Problemi nuk është tek qytetarët. Natyrisht ne ishim të interesuar që informacioni të shkojë të secili dhe secili qytetar sot vaksinën kundër Covid-19 mund ta marrë në komunën  e vetë mirëpo interesimi ishte jashtëzakonisht i madh sidomos në orët e paradites me ç’rast u krijuan ato pamje që nuk i dëshirojmë as ne mirëpo për fat të mirë gjatë ditës procesi u stabilizua”, theksoi Hoti në RTK.

Sipas tij, pamje të tilla nuk do të përsëriten.

“MSH është e përkushtuar dhe siguron qytetarët se pamje të tilla më nuk do të ndodhin për shkak e gjatë ditës së sotme është punuar me komunitetin”, tha ai.

Bashkimi Evropian ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinave për Kosovën, të cilat do të shpërndahen gradualisht.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër Coronavirusit dhe çdo dozë e siguruar deri më tash është donacion ose nga BE’ja, ose nga Organizata Botërore e Shëndetësisë./Insajderi.com