Ministria e Sportit heshtë për implikimin e zyrtarit të saj në kurdisjen e ndeshjes

Ministria e Sportit heshtë për implikimin e zyrtarit të saj në kurdisjen e ndeshjes

Trajneri i Ballkanit të Suharekës, Gëzim Hasi u kishte kërkuar futbollistëve që të humbnin ndeshjen me skuadrën Ramiz Sadiku. Kjo, sipas tij ishte kërkesë e kryetarit të klubit, Florim Kryeziu.

Pos pozitës së kryetarit të Klubit, Kryeziu mbanë edhe një pozitë të lartë në Ministrinë e Sporteve. Është udhëheqës i Divizionit për infrastrukturë sportive.

Implikimi i Kryeziut në kurdisjen e ndeshjes dëshmohet me një video të publikuar ditë më parë nga portali Indeksonline. Kërkesa për humbjen e ndeshjes bëhet në dhomën e zhveshjes pak para fillimit të saj.

Kryetari i Klubit të Ballkanit, Florim Kryeziu, që implikohet në këtë skandal nga trajneri i skuadrës, Gëzim Hasi ka mohuar të ketë gisht në të. Ai i ka thënë Insajderit se kurrë nuk ka kërkuar një gjë të tillë.

“Prej 23 dhjetorit i vitit 2015 sa jam kryetar i klubit asnjëherë nuk kam autorizuar dikë me më përfaqësuar dhe të gjithë ata që e kanë keqpërdorur do të përballën me ligjin, sepse unë asnjëherë nuk kam bërë një kërkesë të tillë”, ka thënë Kryeziu.

Madje, Kryeziu si kryetar i klubit ka reaguar menjëherë duke ndërmarrë sanksione ndaj trajnerit të skuadrës, Gëzim Hasi dhe drejtorit sportiv të Klubit, Avni Bytyqi.

“Është shkarkuar trajneri Gëzim Hasi, është emëruar Zymer Elshani. Është shkarkuar drejtori sportiv i klubit, Avni Bytyqi, është emri Avni Elshani”, ka thënë Kryeziu.

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve nuk ka vepruar si herën e parë kur kishte kërkuar hetime për kurdisje të ndeshjeve. Tash, ka refuzuar të deklarohet për përfshirjen e zyrtarit të saj në këtë skandal.

Insajderi ka provuar gjatë gjithë ditës të marrë një qëndrim nga kjo ministri, por askush nuk është deklaruar.

Kryeziu që është edhe anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së në Suharekë, ka thënë se nuk ndihet aspak fajtor dhe aspak i frikësuar të përballët me drejtësinë pasi që, sic pretendon ai, emri i është përdorur pa leje.

“Unë jam i vetëdijshëm unë nuk jam njeri që ndikohem, nuk jam emocional as që përdori alkool as substanca narkotike, po du me thanë jam i vetëdijshëm. Nuk ndihem fajtor aspak për atë çfarë dikush fletë në emër tim, i pa autorizuar dhe jam i gatshëm të jap llogari për të gjitha”, ka thënë Kryeziu.

Ky publikim i kurdisjes së ndeshjeve vjen një javë pas publikimit të një tjetër kurdisje të ndeshjes.

Bajram Gashi së bashku me trajnerin e Gjiliant, Ismet Munishi dëgjoheshin duke biseduar për ndeshjen Prishtina Drita në të cilën Gashi tregon se qëllimshëm nuk kishte akorduar penalti për Prishtinën./Insajderi.com