Pa i mbushur 6 muaj në krye të Ministrisë së Brendshme, Bejtush Gashi është shkarkuar nga ky post.
Edhe pse arsyet nuk dihen, sekretari i AKR-së, Rrahim Pacolli ka thënë për Insajderin se do të ketë ndryshime në disa ministri të AKR-së për shkak se nuk është punuar sa duhet.
Sipas tij, këto ndryshime do të jenë në të mirë të qytetarëve.
“Do të ketë ndryshime nëpër disa ministi të AKR-së. Do të ketë ndryshime në interes të qytetarëve, në ministritë ku nuk është punuar sa duhet”, tha Pacolli.
Por, para Gashit edhe një ministër i Brendshëm e kishte pësuar njejtë.
Flamur Sefaj ishte shkarkuar nga detyra pas skandalit me gylenistët.
Përkundër se Sefaj e kishte mohuar se ka pasur njohuri për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, ai nuk arriti ta mbajë pozitën e ministrit.
Zyra për informim e Qeverisë së Kosovës ende nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar rreth shkarkimit të Gashit, duke shtuar se po mbledhin informata.
Qeveria vazhdimisht ka pasur probleme me shkarkime dhe dorëheqjen e ministrave.
Para disa ditës, ishte paralajmëruar edhe dorëheqja e Abelard Tahirit por që më vonë i njëjti u tërhoq nga ky vendim. /Insajderi.com