Ministria që nuk po arrin t’u gjejë punë zëvendësministrave

Ministria që nuk po arrin t’u gjejë punë zëvendësministrave

Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj përveç numrit të madh të ministrive, po ashtu shquhet edhe për numrin enorm të zëvendësministrave. Nga 22 ministritë, janë emëruar mbi 80 zëvendësministra.

Një prej ministrive me numrin më të madh të zëvendësministrave është edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Pas presioneve të mediave dhe shoqërisë civile, kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga secili ministër dhe zëvendësministër të raportojë për punën e tij që prej fillimit të punës. Ai ka kërkuar nga ministrat që “t’u gjejnë punë” zëvendësministrave të shumtë.

Ministria po ka telashe të akomodojë edhe stafin e saj. Kështu stafi politik është dashur të “shpërngulet” në një objekt të ri, gjegjësisht të kalojë në ish-objektin e Armatës (UNMIK-ut), aty ku më parë është vendosur edhe  Ministria e Punëve të Jashtme.

Por, Ministria e Punës nuk po arrin “t’u gjejë punë” as zëvendësministrave të saj. Derisa janë një apo dy zëvendësministra të cilët kanë detyra dhe obligime të specifikuara mirë, të tjerët ende janë “duke e gjetur veten”.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar me zëvendësministrat e kësaj ministrie për t’i pyetur për punën që bëjnë.

Zëvendësministri Çerkin Dukolli, ka thënë për Insajderin se nga ministri Skënder Reçica është i ngarkuar të ndihmoj stafin në detyra si: Inspektoratin e Punës , Zyrën për Çështje Trashëgimore  të TMK-së, si dhe kontributin në hartimin e akteve  legjislative.

“Ndërsa me  vendim të Qeverisë  Nr.10/26, më 29 janar 2018 jam emëruar Kryesues i Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (KNSSHP)”, ka thënë Dukolli, duke shtuar se deri tani ka realizuar takime të shumta me Inspektoratin e Punës, duke i vizituar në terren në shtatë regjionet ku edhe zhvillojnë veprimtarinë e tyre.

“Jam njoftuar me punën e tyre, legjislacionin, kushtet e punës, dhe nivelin e zbatueshmërisë së legjislacionit gjegjësisht Ligjin e Punës dhe Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, ka thënë Dukolli.

Ai shprehet se temë bosht e angazhimit në këto takime ishte respektimi i të drejtave të punëtoreve, informaliteti, siguria dhe shëndeti në punë.

“Thirrja ime për inspektorët në secilin rast ka qenë: që të rrisin angazhimet në punë dhe t’u kushtohet kujdes i shtuar zbatimit të Ligjit të Punës dhe Ligjit për Sigurinë dhe Shëndet në Punë. Kam realizuar takime të rregullta me stafin e ZÇT TMK-së, jam interesuar për gjendjen e ish-pjesëtareve të TMK-së, ecurinë e pensionimit e tyre, deri ku ka shkuar procesi dhe cilat janë rrjedhat që e përcjellin këtë proces”, ka thënë Dukolli.

Ai shpjegon edhe për iniciativat e tij që ka ndërmarrë si zëvendësministër. “Kam vënë kontaktet me MKRS, që të shoh mundësinë që për nevoja të kësaj zyre të na ndajë një kënd të përhershëm ekspozues në Muzeun e Kosovës. Ne besojmë se ky kënd do të na ofrohet dhe aty do të kemi mundësinë që të shpalosim dhe ekspozojmë historinë dhjetëvjeçare të TMK-së 1999-2009”, ka thënë Dukolli.

Dukolli ka thënë se ka ndihmuar në hartim të legjislacionit, duke ndihmuar grupin punues për hartimin e Projektligjit për Inspektoratin e Punës, dhe tanimë ky dokument është në fazën e konsultimin publik në platformën online.

“Si kryesues i Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (KNSSHP), bashkërisht me anëtaret tjerë kemi arritur që ta vëmë në funksion këtë këshill mjaft të rëndësishëm për vendin”, ka thënë Dokullo.

Sipas tij, deri tani janë realizuar katër  takime, dhe brenda këtyre tre muajve kanë vizituar: Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq dhe Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë.

Sipas Dukollit, funksionalizimi i Këshillit është një punë e mirë që po ndodhë në vendin tonë, ngase me rekomandimet e tyre do të ndikojnë në ngritjen e nivelit të sigurisë në vendet tona të punës, e gjithsesi edhe në mbrojtjen e shëndetit.

Zëvendësministri tjetër Vesel Makolli në një përgjigje përmes telefonit ka thënë se mbulon pjesën e Departamentit të Familjes dhe Asistencës Sociale.

“Kohë pas kohe çka të ka ndonjë aktivitet tjetër të ministrit sikur tash që jam në Lezhë të Shqipërisë, që është një projekt i BE-së që po investon rreth aftësimit të punëtorëve dhe të kësaj pjesës kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës për  mbledhjen e frutave të malit, një projekt që synon të aftësojë rreth 120 punëtorë”, ka thënë Makolli.

Makolli shprehet se ai e ka dërguar raportin e detajuar në qeveri rreth aktiviteteve që ka zhvilluar gjatë kësaj periudhe.

“Kam diku rreth 12 apo 13 aktivitete që kam pasur gjatë kësaj kohe sa jam zëvendësministër. Ato i kam përshkruar në raport. Ka shumë punë që i kemi bërë bashkë. Natyrisht ne bashkëpunojmë me ministrin. Ka pasur ankesa prej disave, por këtu në ministri është në rregull puna”, ka thënë Makolli.

Por, disa ngazëvendësministrat në kuadër të aktiviteteve të tyre kanë futur edhe takimet rutinore me ministrin dhe stafin e Ministrisë, pastaj në kuadër të aktiviteteve kanë futur pjesë nga ligji që flet për detyrimet e Ministrisë, por pa specifikime të qarta për rolin e tyre.

Zëvendësministri Milosh Peroviq, shprehet se detyrat si zëvendësministër i merr nga ana e Ministrit të MPMS dhe në pajtim me Rregulloren e Qeverisë Nr. 02/2011 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.

“Ndërkaq, aktivitetet të cilat i kam kryer gjatë kësaj periudhe janë vizita të ndryshme në komuna të Kosovës me shumicë serbe si dhe familjeve sociale që jetojnë në enklava. Gjithashtu, kam ofruar ndihmë në hapjen e shtëpisë së sigurt të grave në Novobërdë. Përveç kësaj, pres palët që kanë problemet të cilat përputhen me kompetencat e kësaj ministrie”, ka thënë Peroviq.

Zëvendësministri Abdyl Imeri ka thënë se me  pranimin e detyrës si zv.ministër, kontakti i tij i parë zyrtar ka qenë me ministrin Skender Reçica, me të cilin ka diskutuar për misionin, objektivat dhe prioritetet e ministrisë si dhe për ndarjen e detyrave dhe  angazhimin në kuadër të ministrisë, konkretisht me Departamentin e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile.

“Fillimisht fokusi im ka qenë vendosja e kontakteve me akterët kryesorë të cilët merren me këtë fushë, së pari kam vizituar Departamentin, drejtoreshën dhe punëtorët nëpër zyra me të cilët kemi vënë ura bashkëpunimi dhe komunikimi të rregullta. Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë njohja dhe bashkëpunimi si mundësi e mirë për t’u informuar lidhur me të gjitha të arriturat, por edhe me problematikat dhe vështirësitë që kanë gjatë ushtrimit të detyrave në vendin e punës. Po ashtu takime me  organizata të dala nga lufta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilët kemi  biseduar për bashkëpunimin më të mirë me MPMS-në dhe me institucionet e Republikës së Kosovës, për gjendjen e veteranëve, invalidëve, si dhe familjet e tyre dhe familjeve të dëshmorëve”, ka thënë Imeri, i cili përmend edhe vizitat nëpër familje të dëshmorëve dhe martirëve të kombit, e po ashtu pjesëmarrja në aktivitetet  e shumta përkujtimore që bëhen në nderim  të rënëve për liri.

Duke shikuar fushëveprimtarinë e këtij departamenti, si dhe detyrat dhe përgjegjësitë, siç janë: hartimi dhe promovimi i politikave të MPMS-së nga fusha e pensioneve dhe beneficioneve për kategoritë e luftës, si dhe detyrat tjera të cilat janë përshkruar në detaje, nga marrja e detyrës, Imeri shprehet se ka vendos si objektiv që së bashku me përgjegjësit e Departamentit të angazhoheni maksimalisht në zbatimin e ligjit për këto kategori si dhe realizimin e obligimeve dhe detyrave që kanë për qëllim: përkrahjen  e vazhdueshme dhe përmirësimin e mirëqenies dhe mbështetja e kategorive të dala nga lufta.

Zëvendësministri Lulzim Leci i detyra të tij ka përmendur rregulloren nr.02/2011, për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive.

Ai shprehet se gjatë kësaj periudhe kohore, angazhimi i tij, kryesisht ka qenë i fokusuar në zhvillimin e politikave pensionale dhe politikave sociale:

Pastaj përmend angazhimin rreth reformimit të sistemit pensional në Kosovë, bashkë me faktorët relevantë si Komisionin Parlamentar për Mirëqenie Sociale, shoqatat e pensionistëve të Kosovës.

“MPMS ka themeluar grupin punues i cili ka filluar hartimin e Koncept-Dokumentit për Sistemin Pensional në Kosovë”, ka thënë Leci për gazetën Insajderi, duke shtuar se janë zhvilluar disa takimeve me përfaqësuesit e Lidhjes se Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Republikës së Kosovës dhe me përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve të Kosovës.

Detyrë tjetër e tij është mbajtja e disa takimeve me përfaqësuesit e Shoqatës së Personave të Verbër dhe me të Pamë të Dobësuar të Kosovës (SHVPDK), pastaj realizim i takimit për njoftimin rreth Planit Vjetor të Punës së Qeverisë për vitin 2018.

“Duke pasur parasysh faktin se MPMS realizon marrëveshje dhe kontrata për subvencionimin e shërbimeve për mbrojtjen dhe strehimin e viktimave të dhunës në familje me shtatë strehimore në nivel nacional që nga viti 2006, jam angazhuar për së afërmi me gjendjen dhe trajtimin që bëhët në këto qendra strehimi”, ka thënë Leci, duke përmendur edhe angazhimin në hartimin e draftit final të projektligjit për Inspektoratin e Punës.

Zëvendësministri Besart Jashari nuk ka kthyer përgjigje rreth punës së tij në ministri.