Ministria zhduk mostrat e ushqimit që dyshohet se helmoi 45 ushtarë të FSK-së

Ministria zhduk mostrat e ushqimit që dyshohet se helmoi 45 ushtarë të FSK-së

Ministria e Mbrojtjes vazhdon të insistojë se vetëm tre ushtarë të FSK-së janë helmuar më 21 qershor në Mitrovicë.

Ndonëse e konfirmon se tre pjesëtarë të FSK-së kanë marrë ndihmë mjekësore atë ditë, Ministria se nuk e ka parë të nevojshme ruajtjen e mostrave të ushqimit që u shërbye nga kompania “Beni-Dona Plast”.

Mostrat janë zhdukur 48 orë pas shërbimit të ushqimit që dyshohet se helmoi ushtarët e Kosovës, ka thënë të mërkurën për Insajderin, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ibrahim Shala.

“E ritheksojmë se helmim nuk ka pasur, nuk posedojmë të dhëna se shkaktarë i kësaj ndjesie ka qenë ushqimi në kazermë, siç kanë aluduar disa mediume. Në kuzhinat e FSK-së mostrat e ushqimit ruhen 48 orë për analiza në rast nevoje”, ka thënë Shala.

Tentimi i Ministrisë së Mbrojtjes për fshehjen e skandalit, dështoi para dy javësh kur në media doli një raport i brendshëm i kësaj ministrie që konfirmonte helmimin e 45 ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Dyshimi – Kompania “Beni Dona” helmon 45 ushtarë të Kosovës

Raporti – të cilin e publikoi televizioni T7 – thekson se problemet shëndetësore të ushtarëve të FSK-së janë shfaqur pas shërbimit të darkës më 21 qershor.

“Disa pjesëtarë të shërbimit të rojës janë ankuar se kanë probleme shëndetësore, simptomat e sëmundjes kanë qenë ethe, temperaturë, barkqitje, dhimbje të trupit dhe plogështi. Gjithashtu 45 pjesëtarë të K3B kanë pasur të njëjtat simptome, pas ushqimit të darkës, problemet kanë vazhduar edhe gjatë ditës së nesërme”, thuhet në raportin e brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.

Tutje në raport thuhet se pjesëtarët janë trajtuar me injeksione dhe barna. /Insajderi.com