Ministrja e Drejtësisë, shkarkon këshilltarin politik të akuzuar për vepër penale

Remzi Potoku është shkarkuar nga detyra e këshilltarit të ministres së Drejtësisë, pak orë pasi ka pranuar pyetjet e Insajderit rreth akuzave për vepër penale që rëndojnë mbi të. Potoku, është i akuzuar për “pengim i të provuarit”, pasi ka provuar të ndikojë tek një dëshmitare – viktimë e trafikimit që të ndryshojë dëshminë kundër vëllait të tij, i akuzuar për prostitucion.

Ministrja e Drejtësisë, shkarkon këshilltarin politik të akuzuar për vepër penale

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha është këshilluar për 19 ditë nga një këshilltar i akuzuar për vepër penale.

Por të hënen pasdite e ka shkarkuar nga detyra.

Remzi Potoku, i emëruar nga ministrja Hoxha në cilësinë e këshilltarit të lartë politik, është larguar nga kabineti i ministres, disa orë pas pranimit të pyetjeve nga Insajderi se a është në dijeni se këshilltari i saj po ndiqet penalisht nga një prokuror i EULEX-it.

Potoku ishte arrestuar dy vjet më parë bashku me ish-kryetarin e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, dhe vëllanë e tij Bahri Potoku për një rast të trafikimit me qenie njerëzore.

Arrestimi i tyre ishte kryer për shkak të dyshimit se kishin kërcënuar një dëshmitare – viktimë e trafikimit. Plani për frikësimin e dëshmitares ishte zbuluar gjatë një përgjimi që po kryhej kundër Nuhi Ukës. Biseda ishte bërë në zyrën e Ukës në Prishtinë.

“Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë arrestuar tre qytetar të Kosovës nën dyshimin se kanë frikësuar një dëshmitar gjatë procedurës penale dhe kanë penguar të provuarit, në kundërshtim me nenin 395 dhe 394 të Kodit Penal të Kosovës”, kishte njoftuar EULEX-i

“Dyshimi se këta persona kanë kryer këto krime është ngritur gjatë një hetimi që është në vazhdim, si rezultat i të cilit, më 7 nëntor 2013 ishte arrestuar ish Kryetari i Gjykatës Komunale në Prishtinë. Personat e arrestuar do të intervistohen nga prokurori, i cili ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj tyre”, thuhej në këtë komunikatë.

Ata dyshoheshin se kishin ndikuar tek dëshmitarja, M.I., viktimë e trafikimit që të tërheq dëshminë kundër Bahri Potokut, i akuzuar për trafikim me qenie njerëzore.

Gjykata e shkallës së parë ka hedhur poshtë aktakuzën kundër Nuhi Ukës, si dhe një pikë të aktakuzës kundër Remzi Potokut. Prokuroria është ankuar në Gjykatën e Apelit kundër këtij vendimi.

Ish-këshilltari i ministres Hoxha që është edhe avokat, Remzi Potoku aktualisht akuzohet për pengim të të provuarit. Ai është pjesë e strukturave të PDK-së në Degën e Prishtinës.

Ministria ka thënë shkurtë se Potoku nuk është më këshilltar, pa njoftuar nëse kanë ditur për veprimet e tij të dyshuara penale.

“Duke iu falënderuar për bashkëpunimin, sa i përket pyetjes tuaj rreth angazhimit të Remzi Potokut, iu njoftojmë se Remzi Potoku ka pasur angazhim disa-ditor në Ministrinë e Drejtësisë dhe i njëjti nuk është më pjesë e Ministrisë së Drejtësisë”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Drejtësisë.

Insajderi ka kontaktuar me Potokun. Ai ka thënë se është viktimë në këtë rast, por nuk ka treguar se si. Ka përmendur se një prokuror vendës e ka shantazhuar duke i kërkuar para nëpërmjet një sekseri, mirëpo ka refuzuar të tregojë se cili prokuror. Ka thënë po ashtu se prokurori i EULEX-it i ka ofruar status të dëshmitarit bashkëpunues dhe pas refuzimit për ta pranuar këtë, është akuzuar.

Për të gjitha këto, nuk ka ofruar asnjë fakte.

“Jam viktimë e sistemit të drejtësisë”, ka thënë avokati Potoku.

Potoku ishte arrestuar shkak të përpjekjeve të Ukës dhe të tjerëve për të ndikuar tek një dëshmitare kundër të akuzuarit Bahri Potoku, i akuzuar për trafikim me qenie njerëzore.

“Nga përgjimet doli se z. Uka dhe z. Potoku kanë kryer veprat penale të përmendura në kërkesën për paraburgim. Vëllai i z. Potokut, Bahriu, dyshohet se ka qenë i përfshirë në kryerjen e veprave penale të prostitucionit dhe trafikimit me qenie njerëzore dhe z. Uka ka qenë avokat mbrojtës i z. Bahriut… Dëshmia kryesore në këtë rast kundër Bahriut erdhi nga M.I. dhe incizimet e bëra në zyrën e z. Uka tregojnë për ndikimin që kanë ushtruar ata për ndryshimin e deklaratës nga ana e së dëmtuarës”, kishte thënë Prokuroria në kërkesën për paraburgim.

Sipas tij, në regjistrimet e bëra janë zbuluar bisedat e Potokut dhe Ukës se si M.I. duhet të ndryshojë deklaratën e saj në Gjykatë dhe se si ajo do të kontaktohet para seancës gjyqësore.

“Është diskutuar se M.I. duhet të thotë se ka gabuar kur e ka identifikuar Bahriun. Z. Potoku i ka konfirmuar Ukës se sa herë që ka shkuar te M.I. apo familja e saj ka premtuar se do t’i jap diçka…Më 27 shtator është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Bahriut dhe aty ka ndodh saktësisht ajo që ishte diskutuar mes tyre. Z. Potoku dhe z. Uka e kanë diskutuar këtë rezultat. Të dy e kanë ditur se M.I po gënjen para gjykatës”, kishte theksuar Prokuroria.

Prokuroria ka thënë se ekziston edhe një incizim kur Uka i thotë Potokut se “ajo ka gënjyer sa ka mundur”./Insajderi.com