“Aleanca strategjike dhe historike e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është boshti i çdo të arriture tonë si shtet”, ka thënë ministrja Meliza Haradinaj - Stublla.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla, me rastin e shënimit të 21 vjetorit të ditës së Çlirimit të Kosovës, ka zhvilluar biseda telefonike, me disa nga partnerët dhe aleatët strategjikë të vendit, si dhe me akterët e asaj kohe, që jetësuan qëllimin dhe rrugëtimin e vendit, drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Haradinaj – Stublla, fillimisht ka zhvilluar bisedë telefonike me Matthew Palmer, zëvendësndihmës sekretar i Shtetit të ShBA-së dhe përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor.
Ajo më pas ka pasur një bisedë telefonike edhe me ish sekretaren e shtetit Madeleine Albright dhe gjithashtu edhe me ish gjeneralin e NATO-s, Wesley Clark, njofton Insajderi.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nëpërmjet një komunikate, thotë se bashkëbisedimet me personalitetet Palmer, Albright dhe Clark u bënë në ditën e përvjetorit të çlirimit të Kosovës, për të shprehur respektin dhe nderimin, për rolin e jashtëzakonshëm të akterëve politik, diplomatik dhe ushtarak, që jetësuan ëndrrën shekullore të Kosovës për liri dhe pavarësi./Insajderi.com