Ministrja Haxhiu takohet me përfaqësuesit e Odës së Ndërmjetësuesve

Ministrja Haxhiu takohet me përfaqësuesit e Odës së Ndërmjetësuesve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është takuar sot me përfaqësuesin e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës, Faton Morina, si dhe me kryetaren aktuale të Bordit të kësaj Ode, Adelina Isufi, përcjell Insajderi.

Ministrja Haxhiu ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me vonesën e zbatimit të procedurave ligjore, për qëllim të adresimit të obligimeve të parapara me ligj.

Lidhur me këtë, Haxhiu është zotuar të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm.

Të dy përfaqësuesit e Odës e informuan Ministren lidhur me angazhimet e Odës së Ndërmjetësuesve, që nga themelimi i Odës e deri të organizimi i seancave të ndërmjetësimit online, që në vitin e fundit kanë kontribuar në zgjidhjen e më shumë se pesë mijë rasteve përmes ndërmjetësimit.

Ata po ashtu informuan Haxhiun për nevojën e hartimit të politikave të ndërmjetësimit, që i referohen regjistrit të ndërmjetësuesve por edhe tarifave të tyre, ashtu siç është paraparë me Ligjin për Ndërmjetësimin.

Së fundmi, Ministrja Haxhiu ka shprehur pajtim me të gjitha shqetësimet e ngritura nga ana e përfaqësuesve të Odës dhe është pajtuar me të njëjtit, për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen./Insajderi.com