Miodrag Raduloviç emërohet përzgjedhës i Malit të Zi

Miodrag Raduloviç emërohet përzgjedhës i Malit të Zi

Mali i Zi edhe zyrtarisht u bë me trajner të ri të përfaqësuese së futbollit. Përzgjedhësi i ri, Miodrag Raduloviç, tha se emërimi në këtë pozitë është kurora e punës së tij deri më tani dhe njohja me të cilën do të jetë krenar për pjesën tjetër të jetës së tij, njofton Insajderi.

Raduloviç si selektor i përfaqësueses së Malit të Zi erdhi në vend të Faruk Haxhibegiç, të cilit i skadoi kontrata më 31 dhjetor të vitit të kaluar

Ai është përzgjedhësi i gjashtë i Malit të Zi, pas Zoran Filipoviç, Zlatko Kranjçar, Branko Brnoviç, Lubisha Tumbakoviç dhe Farku Haxhibegiç.

Gjatë adresimit të tij të parë para mediave, ai tha se përsëri është kthyer në shtëpinë e tij.

“Faleminderit drejtuesve të Federatës së Futbollit për besimin e tyre. Mbaj mend që kam filluar nga këtu dhe se puna në Federatën e Futbollit më hapi derën në karrierën time të mëvonshme. Është detyrimi im të sjell njohuri dhe përvojë në ekipin përfaqësueses tonë dhe të punoj në interes të futbollit tonë”, tha Raduloviç gjatë konferencës për shtyp.

Nga 2007 deri në 2010, Raduloviç ishte përzgjedhës i skuadrës së të rinjve të Malit të Zi, me të cilën arriti në fazën e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian në ciklin e parë garues.

Ai ishte gjithashtu anëtar i stafit profesional të të rinjve dhe përzgjedhës i ekipit kombëtar të të rinjve të Serbisë dhe Malit të Zi.

Gjithashtu drejtoi klubin Pakhtakor të Uzbekistanit dhe ishte anëtar i stafit profesional të Dinamo nga Moska, kurse në vitin 2012 ai udhëhoqi Buduçnostin e Podgoricës deri në titullin e kampionit të Malit të Zi.

Ai ishte trajner i klubeve të Kuvajtit, Kazma dhe Al Jahra dhe klubit të Kazakistanit, Atyrau, ndërsa si përzgjedhës ishte për katër vjet në stolin e ekipeve kombëtare të Libanit dhe Mianmarit.

Me përfaqësuesen e Libanit, ai fitoi një vend në Kampionatin Aziatik, për herë të parë në historinë e atij vendi. Klubi i fundit që ai drejtoi ishte Zob Ahan nga Irani, kur u largua në mars, pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19). /Insajderi.com