Miratohet rezoluta që i dënon deklaratat e Donald Trump ndaj kongresisteve

Miratohet rezoluta që i dënon deklaratat e Donald Trump ndaj kongresisteve

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e miratoi të martën një rezolutë që i dënon dhe i cilëson raciste deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj katër kongresisteve me ngjyrë, të cilave u tha të kthehen në vendet nga kanë ardhur.

Kjo rezolutë u miratua me shumicë votash pasi u votua nga 240 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe u kundërshtua nga vetëm 187 të tjerë. Vetëm katër republikanë – Will Hurd, Brian Fitzpatrick, Fred Upton dhe Susan Brooks – e përkrahën këtë rezolutë. Rezolutën e përkrahu edhe Justin Amash, i cili së voni u tërhoq nga Partia Republikane.

Votimi i rezolutës erdhi disa ditë pas postimeve të presidentit Trump në Twitter, të cilat nxitën shumë reagime. Ai kërkoi nga katër kongresiste që të kthehen në vendet e prejardhjes, ndonëse tri prej tyre janë lindur në Shtetet e Bashkuara, ndërsa kongresistja Omar është amerikane e natyralizuar, e cila në moshë të re kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara si refugjate nga Somalia.

“Secili anëtar i këtij institucioni, qoftë demokrat apo republikan, duhet të na bashkohet neve në dënimin e postimeve raciste të presidentit. Çdo gjë më pak se kjo do të ishte kundërshtim shokues i vlerave tona dhe një tërheqje e turpshme nga betimi ynë për ta mbrojtur popullin amerikan”, tha kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Komentet e saj e nxitën reagimin e ashpër të anëtarëve republikanë të këtij institucioni, të cilët e akuzuan kryetaren demokrate të tij për shkelje të rregullave, sipas të cilave ndalohet të thuhet që presidenti ka bërë deklaratë fanatike apo raciste, shkruan “The Guardian”.