Mitrovica nderon dëshmorët e rënë në luftën e fundit

Mitrovica nderon dëshmorët e rënë në luftën e fundit

Në Ditën e Dëshmorëve të Komunës së Mitrovicës, përfaqësues të institucioneve, organizata të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë dhe shumë qytetarë kanë bërë homazhe dhe vendosën lule në varrezat e dëshmorëve në Mitrovicë, njofton Insajderi.

Gjatë këtyre homazheve është vlerësuar lartë kontributi i 76 dëshmorëve nga komuna e Mitrovicës, të rënë në luftën e fundit për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Flamur Mujka, tha se përulja para këtyre dëshmorëve është më e pakta që institucionet mund të bëjnë, ndërsa kërkoi drejtësi në mënyrë që amaneti dhe vizioni i këtyre dëshmorëve të shkojë deri në fund.

“Sot si gjithmonë, sa të ketë Kosovë dhe komb shqiptar, do të vijmë këtu dhe do të përulemi më 6 qershor në Ditën e Dëshmorëve të komunës tonë. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë si institucione komunale, por edhe si institucione të Republikës së Kosovës. Gjithsesi familjarët e dëshmorëve presin me të drejtë nga komuna e Mitrovicës që të ketë më shumë drejtësi, prosperitet, për fëmijët dhe familjet e dëshmorëve, dhe ky është obligim i ynë të cilin duhet ta përmbushim, në mënyrë që amanetin dhe vizionin e dëshmorëve tonë ta çojmë deri në fund”, ka thënë Mujka.

Rafet Ibishi, kryetar i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së në Mitrovicë, ka porositur gjeneratat e reja se dëshmorët nuk duhet harruar kurrë, ngase falë gjakut të tyre sot shteti i Kosovës gëzon lirinë.

“Kemi dalë masovikisht me i nderu dëshmorët. Një nderim sado i vogël për t’ju tregu gjeneratave të reja se nuk bënë me i harru, dhe se çdo herë duhet me i kujtua, sepse falë gjakut të tyre ne sot gëzojmë lirinë”, theksoi Ibishi. /Insajderi.com