Mitrovica përballë gjigantit evropian në Champions

Mitrovica përballë gjigantit evropian në Champions

Në shtator, në Prishtinë, do të zbarkojë një tjetër skuadër shumë e madhe evropiane. Bëhet fjalë për futbollin e femrave dhe për skuadrën gjermane Wolfsburg.

Aktualisht Wolfsburgu është skuadër shumë më e madhe se Milani, nëse krahasohet futbolli i femrave me atë të meshkujve.

Wolfsburgu më 11 apo 12 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të takohet me skuadrën kampione të Kosovës, Mitrovicën.

Do të jetë kjo ndeshja e parë e 1\16 së finales të Ligës së Kampionëve për futbolliste. Ndeshja e kthimit do të luhet në Gjermani më 25 apo 26 shtator.

Shorti për raundin e parë nokaut të Ligës së Kampionëve për futbolliste është tërhequr të premten në Nyon.

Për herë të parë në mesin e 32 skuadrave më të mira evropiane zë vend edhe kampionia e Kosovës. Për Mitrovicën, shorti nuk ishte i favorshëm. Wolfsburgu është kundërshtari i dytë më i fortë pas kampionit aktual, Lyonit.

Kampioni i Gjermanisë ishte bartësi i dytë në short, ndërsa Mitrovica e fundit në listën e 16 skuadrave jo bartëse.