Mjekimet kundër HIV’it dhe Ebola’s testohen si trajtime të mundshme për koronavirusin

Mjekimet kundër HIV’it dhe Ebola’s testohen si trajtime të mundshme për koronavirusin

Dy mjekime që janë zhvilluar për të luftuar virusin HIV janë duke u testuar në Kinë, për të parë nëse funksionojnë edhe kundër koronavirusit të ri, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Një tjetër test klinik përfshin një mjekim që fillimisht u krijua për të trajtuar Ebola-n, por u zbulua se ishte më pak efektiv kundër temperaturës vdekjeprurëse.

“Për tre javë presim rezultatet paraprake”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë për shtyp në Gjenevë.

Ndërkohë, përpjekjet e Kinës për të menaxhuar epideminë vrastare, e lidhur me koronavirusin e ri, po funksionojnë, tha kryediplomati kinez, Wang Yi, i cili ia atribuoi uljen e rasteve të reja të infektimit veprimtarisë energjike të vendit të tij kundër sëmundjes.

Në një fjalim të mbajtur në Vientiane për koronavirusin, pas takimit me homologët e tij të dhjetë vendeve anëtare të ASEAN-it, ministri kinez deklaroi se epidemia është e kontrollueshme dhe e kurueshme, pavarësisht shqetësimit që ka shkaktuar në mbarë botën.

Kina njoftoi sot për një rënie dramatike të rasteve të reja të infektimit, më e ulëta pas gati një muaji, me një rritje neto prej 394 rastesh, vetëm 25 % e shifrës së njoftuar një ditë më parë.

Numri i përgjithshëm i rasteve të infektimit e ka kaluar numrin 74 500 në Kinën kontinentale, ku epidemia ka shkaktuar 2 118 viktima.

Jashtë Kinës kontinentale, në vendet e territoret e tjera, COVID-19 ka shkaktuar 10 viktima.