Mjekja dhe kryetarja e Bordit të SHSKUK-së, Agreta Gecaj-Gashi, me veshje të operacionit, ndezë cigare brenda zyrës

Mjekja dhe kryetarja e Bordit të SHSKUK-së, Agreta Gecaj-Gashi, me veshje të operacionit, ndezë cigare brenda zyrës

Ligji për Duhanin e ndalon pirjen e duhanit në institucione publike, por jo edhe për anesteziologen dhe intensivisten në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Agreta Gecaj-Gashi.

Asaj s’i intereson as për ligjin e as për nenet e tij, pasi më shumë se një herë është parë duke pirë cigare në ambiente brenda punës – në zyrën e saj e në vende të tjera.

Disa nga sesionet e “ndezjes” së cigares nga Gecaj-Gashi janë kapur edhe në fotografi.

Përveç se mjeke, Gecaj-Gashi, së fundmi (në prill të vitit 2021) u vu edhe në krye të Bordit drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar (SHSKUK).

Fotografitë e mjekes Agreta duke thyer ligjin janë publikuar në një faqe në rrjetin social Facebook e quajtur “UnCover Mask” me 15 shtator, por gazeta Shqip.com mëson se ato janë shkrepur në tetorin e vitit të kaluar.

Shqip.com ka kontaktuar me Gecaj-Gashin. Ajo nuk ka dashur fillimisht të flas për shkeljen e saj ligjore, porse ka thënë se mos të bëhet lajm për të meqë me këto foto ka kohë që po shantazhohet.

“Të njëjtat fotografi janë përdorur për shantazh edhe nga ish-drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu”, tha mjekja.

Pas insistimit të mediumit se përse ndizte cigare në ambiente brenda spitalit, ajo është arsyetuar se fotot ishin shumë të vjetra, “atëherë kur s’ka qenë në fuqi ligji anti-duhan”.

“Këto foto janë të vjetra të para disa viteve, po përdoren për shantazh dhe mashtrim të opinionit nga një person në shenjë hakmarrjeje për shkak të veprimeve konstruktive që kemi marrë si menaxhment karshi dyshimeve për keqpërdorim me tendere në QKUK”, ka thënë ajo.

Në një nga fotot mjekja shihet edhe në veshje që përdoren në operacione. A është bërë fotoja para, apo pas operacionit e di vetëm ajo, por s’ka dashur të flas.

Me Ligjin për Duhanin, neni 11, pika 3.2 saktësohet që duhani jo vetëm nuk pihet në ambiente brenda objektit shëndetësor, por edhe “në afërsi të hyrjeve/daljeve të hapësirave publike, hyrjeve/daljeve të hapësirës së punës dhe në hyrjeve/daljeve të institucioneve shëndetësore”.

Ndërsa me nenin 12, pika 1.3 saktësohet se jo vetëm që zyrtari nuk bën të ndez cigare vetë, por ai duhet të “mbikëqyr
respektimin e ndalimit të pirjes së duhanit”.

Dhe për më tepër duhet të “ndërmarrin hapa për të ndalur personin nga pirja e duhanit në vendet ku është i ndaluar, duke kërkuar nga personi që të mos pijë duhan, të mos i ofrojnë shërbim dhe të kontaktojnë organet përkatëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit”.

Ndërsa nëse zyrtari pi vetë duhan brenda ambientit të punës, jo vetëm gjobë, por atij “organi i punësimit i zbret nga
paga neto mujore prej pesëdhjetë (50)”.

Por, Agreta nuk e ka vuajtur asnjë nga këto pasoja ligjore, prandaj ka vazhduar me vesin e saj.

Madje, në një nga përgjigjet, ka thënë se mediat as nuk duhet të merren me këtë shkelje ligjore, pasi në syrin e saj “janë gjëra koti”.

Ajo ka kërkuar mirëkuptim, meqë “i gjithë personeli shëndetësor po lufton me virusin duke punuar nga 30 orë pa pushim, duke rrezikuar veten dhe familjet tona”.

Nga QKUK nuk janë përgjigjur ende se çfarë masash, apo a janë marrë masa, për shkeljet e mjekës. Shqip.com ka provuar, por ka qenë e pamundur të merret një përgjigje./SHQIP.com