Mjeku nga Pulmologjia apelon te qytetarët: Mos bëni vizita për Bajram, në klinikë po plotësohen vendet e fundit

Mjeku nga Pulmologjia apelon te qytetarët: Mos bëni vizita për Bajram, në klinikë po plotësohen vendet e fundit

Zëvendësdrejtori i Klinikës së Pulmologjisë, Skender Bacaj, ka kërkuar nga qytetarët që për festën e Kurban Bajramit të qëndrojnë në shtëpi.

Në një intervistë për emisionin “Frontal” në T7, Bacaj ka thënë se nëpër spitalet e Kosovës janë duke u plotësuar vendet e fundit, dhe nuk ka më shtretër, duke shtuar se nëse vizitat familjare nuk reduktohen gjatë festës, do të ketë shpërthim edhe më të madh të rasteve pozitive.

“Janë duke u plotësuar vendet e fundit. Ajo që na shqetëson është që presim që nëse vizitat familjare nuk reduktohen gjatë festës do të kemi shpërthim të madh të rasteve. Është duke u punuar që të hapen edhe spitale fushore”, ka thënë Bacaj.

Megjithatë, mjeku nga Pulmologjia thotë se situata në klinikën e Pulmlogjisë është nën kontroll.

“Situata është nën kontroll dhe priten të hapen kapacitete të reja, fatmirësisisht kemi terapi. Kemi edhe oksigjen mjaft. Momentalisht situata është në kontroll”, ka përfunduar Bacaj. /Insajderi.com/