Modeli “one-man show”

Modeli “one-man show”

Rexhep Tajip Erdogan merr fuqinë që e ka kërkuar prej kohësh, por me një kusht. Turqia voton “Po” ndaj rregullimit radikal të shtetit

Zgjedhjet në Turqi dolën të ishin po aq të diskutueshme sa ç’ishte edhe kundërshtimi i ashpër që gëlonte në popull përpara se ato të zhvilloheshin, shkruan The Economist.

Përpara se të numëroheshin të gjitha fletëvotimet, Rexhep Tajip Erdogan, presidenti i Turqisë, doli përpara turmës së mbështetësve në Stamboll dhe shpalli fitoren e referendumit.

“Kombi im u tregua i drejtë dhe i bashkuar” tha ai, duke iu referuar fitores së referendumit, e cila do t’i japë atij pushtet absolut. Ai u shpreh më tej se 16 prilli ishte një fitore për të gjithë Turqinë.
Edhe pse e shumëpritur, fitorja nuk ishte aspak e lehtë sepse mbështetësit e referendumit avancuan vetëm me 51.4% të votave.

Opozita e akuzoi autoritetin zgjedhor të vendit për zhvillimin e një loje të pisët. Vëzhguesit e huaj e akuzuan qeverinë për krijimin e mosmarrëveshjeve të qëllimshme, të cilat i kthyen në favorin e tyre.
Demonstrata antiqeveritare shpërthyen në një numër të madh qytetesh turke. Mëngjesin e 17 prillit, kombi turk u zgjua më i përçarë se kurrë.

Kushtetuta e re do të sjellë rregullimin më radikal të shtetit që prej vitit 1923, kur ajo kaloi nga një fuqi islamike imperiale në një republikë laike nën pushtetin e Kemal Ataturkut, themeluesin e Turqisë moderne.
Pas zgjedhjeve të reja në vitin 2019, Erdogan do të sundojë mbi popullin turk me një pushtet të pakontestueshëm, duke emëruar zyrtarë të lartë, gjyqtarë dhe anëtarë të kabinetit të tij, sigurisht duke u mbikëqyrur nga Parlamenti, i cili është shumë i dobët krahasuar me fuqinë e Erdoganit.
Zyra e kryeministrit nuk do të ekzistojë më.

Megjithatë, Kushtetuta tashmë është e zhytur në polemika të shumta. Opozita kryesore laike, Partia Popullore Republikane (CHP), ka kërkuar që rezultatet e referendumit të anulohen. Sipas saj, vendimi i minutës së fundit të bordit zgjedhor të vendit për të pranuar fletët e parregullta të votimit, shtoi dyshimet e një mashtrimi masiv në numërimin e saktë të votave.

Pretendimet e manipulimit të votave kanë qenë më të shumta, sidomos në juglindjen kurde.
Në një vlerësim të ashpër, vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), një organ ndërqeveritar, thuhej se ky veprim i bordit zgjedhor ka qenë në kundërshtim të plotë me ligjin dhe ka tronditur më shumë sigurinë në vend.

Gjendja e jashtëzakonshme, e cila u vendos në vend menjëherë pas dështimit të grushtit të shtetit gjatë korrikut të kaluar dhe që u shoqërua me rreth 50,000 arrestime dhe një klimë kërcënimesh dhe histerie nacionaliste, ishte momenti i papërshtatshëm për vendosjen e referendumit, i cili do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë te ndryshimet sistematike në vend.
Zgjedhësve nuk u është dhënë një informacion i përgjithshëm dhe i paanshëm lidhur me aspektet kyçe të kësaj reforme dhe mbi të gjitha, me kufizimet e lirive themelore të cilat do të kenë padyshim një efekt negativ, thuhej më tej në raportin e OSBE-së.

Nuk ka asnjë mundësi për rinumërim. Bordi zgjedhor kundërshtoi apelin e opozitës më 19 prill, por premtoi se do të shqyrtojë një më një, pretendimet për mashtrim. (Rezultatet zyrtare priten të shpallen në fund të prillit)
Z. Erdogan u kërkoi vëzhguesve të huaj që t’i mbajnë për vete shqetësimet që kanë dhe të mos t’i bëjnë ato publike. Ai vazhdoi më tej duke thënë se nuk i interesojnë mendimet e “Hans” apo “George” dhe se vendimi i popullit është shumë i qartë, ai vendosi unanimisht për “Po” ndaj referendumit.
Pretendimet për manipulim të votave do ta shoqërojnë z. Erdogan për vite me radhë, duke e përçarë vendin më shumë se ç’ishte më përpara.

Erdogan mund të jetë “udhëheqësi turk më i fuqishëm që nga Ataturku, por çështja e legjitimitetit do të rëndojë mbi shpatullat e tij për shumë kohë”, – shprehet Soner Cagaptay, nga Instituti i Uashingtonit.
Reagimi ndërkombëtar ka qenë i zymtë. Përveç Amerikës së Donald Trump-it, Rusisë, Sudanit, Hungarisë dhe Xhibutit, asnjë lider nga shtetet e mëdha perëndimore nuk e mirëpriti rezultatin e këtij votimi.

Britania, Gjermania dhe BE-ja kërkuan hapjen e bisedimeve dhe zhvillimin e një hetimi të paanshëm. Z. Erdogan e ka shprehur qartazi se në objektivat e tij nuk bën pjesë aspak rindërtimi i urave lidhëse me Europën, madje gjatë ditës së votimeve, ai u shpreh se do të zotohej për të rivendosur dënimin me vdekje, lëvizje kjo që do të kërcënojë pozicionin e Turqisë, si shtet anëtar në Këshillin e Europës, përcjell monitor.al

Modeli “one-man show”/ Erdogani i plotfuqishëm

Mbështetësit e Kushtetutës së re shprehen se ajo do të përmirësojë vendimmarrjen duke përqendruar fuqinë në duart e z. Erdogan, duke përjashtuar në këtë mënyrë koalicionet politike dhe duke neutralizuar pushtetin e disa zyrtarëve të fuqishëm ende të pazgjedhur.
“Nga tani e tutje, janë njerëzit ata që do të sundojnë në Turqi”, thotë Ufuk, një votues i ri, mbështetës i referendumit.
Ndërsa kundërshtarët thonë se ai do ta shndërrojë qeverinë, tashmë të dominuar nga Erdogani, në një regjim autoritar. “Ky është fillimi i sundimit i një njeriu të vetëm me pushtet absolut”, shprehet Ali Bayramoglu, gazetar dhe ish-simpatizant i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Pas deklaratës se ai do të kundërshtonte Kushtetutën e re, z. Bayramoglu u sulmua nga përkrahësit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në një qendër votimi.

Disa prej ndryshimeve do të hyjnë në fuqi menjëherë. Klauzola e paanshmërisë, e cila kërkon që presidenti i vendit të shkëpusë lidhjet që mund të ketë pasur me ndonjë parti politike, do të shfuqizohet dhe menjëherë pasi të shpallen rezultatet zyrtare, z. Erdogan do t’i bashkohet sërish Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP).
Brenda një muaji, organi gjyqësor më me influencë në vend, Këshilli i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, do të zvogëlohet dhe do të kalojë nga një sistem ku anëtarët zgjidheshin ndërmjet kolegësh, në një sistem ku do të emërohen nga Parlamenti dhe Presidenti.

Komentet e para të z. Erdogan e kanë shpërfillur diferencën mjaft të vogël të fitores dhe e kanë portretizuar këtë referendum si një shenjë mbështetjeje të fortë. Një ditë pas votimit, qeveria e tij shpalli gjendjen e jashtëzakonshme deri më 19 korrik. Dy ditë pas kësaj, policia arrestoi rreth 38 vetë të akuzuar për pjesëmarrje në protesta.

Turqia është në një situatë ku ka një Kushtetutë pothuajse të kundërshtuar nga gjysma e votuesve, të cilët shprehen se votimi për referendum u dëmtua shumë nga pretendimet për mashtrim dhe manipulim të votave dhe u zhvillua në kushte në të cilat debati i hapur politik ishte e pamundur që të zhvillohej.
Z. Erdogan ka tashmë pushtetin që e ka dëshiruar për një kohë të gjatë, por me koston e tensioneve të shumta në vend dhe izolimin ndaj vendeve të tjera.