Mohon fajësinë për mashtrim i akuzuari që u paraqit si përcjellës i Ambasadorit Amerikan

Mohon fajësinë për mashtrim i akuzuari që u paraqit si përcjellës i Ambasadorit Amerikan

I akuzuari për mashtrim, Shukri Musliu është deklaruar i pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Blerim Igrishta, i akuzuari Musliu ka mohuar fajësinë për veprën për te cilën akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meqenëse i akuzuari Musliu nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi i rastit Alban Ajvazi e ka njoftuar atë me të drejtat e tij, për kundërshtimin e provave që gjenden në aktakuzë dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 4 prill 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Shukri Musliut për veprën penale “mashtrimi”, nga neni 335, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, më 31 tetor 2014, me anë të paraqitjes së fakteve të rreme, ka bërë marrëveshje gojore me të dëmtuarin Vezir Bajraktarin për t’i kryer punët ndërtimore të shtëpisë së tij në fshatin Rimanishtë, Komuna e Prishtinës, si izolim dhe fasadim të shtëpisë në shumën prej 12,000 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës thuhet se, i akuzuari Musliu e ka sjell në lajthim të dëmtuarin me anë të paraqitjes se është punëtor i Ambasadës Amerikane, përkatësisht përcjellës i Ambasadorit dhe se shtëpinë po e ndërton se do e lëshojë me qira për Ambasadën Amerikane. Sipas aktit akuzues, me të përfunduar punën e shtëpisë dhe atë shpejt, faturën do e dërgoj në Ambasadë Amerikane për pagesë dhe se do ju jap të gjitha mjetet financiare, mirëpo i njëjti nuk e ka kryer obligimin e tij, me ç’rast të dëmtuarit Bajraktari, si pronar i firmës N.T.P “Ardi”, i shkakton dëm të konsiderueshëm material në vlerë prej 12,000 euro.