Molliqaj kritikon paritë politike se po garojnë se cila të shkojë e para me Kurtin në qeverisje

Molliqaj kritikon paritë politike se po garojnë se cila të shkojë e para me Kurtin në qeverisje

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka folur rreth krijimit të qeverisë së re, dhe garës që po bëhet sipas tij nga partitë tjera për t’u bashkuar me Kurtin, njofton Insajderi.

Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se partitë opozitare e kanë filluar një garë të keqe se kush më parë do të i’a bëjë kuorumin Kurtit për formimin e institucioneve.

Tutje Molliqaj ka thënë se ky konsensus që emërues të përbashkët ka pushtetin e Kurtit, është edhe nënshtrim përballë shantazhit që Kurti tashmë e ka paralajmëruar.

“Konsensusi që emërues të përbashkët ka pushtetin e Kurtit është nënshtrim përballë shantazhit që ai e ka paralajmëruar qyshkur. Pranimi i shantazhit që vjen nga rezultati i dobët është rrugë e gabuar që nuk e këndell askënd. Më mirë parlament monist sesa lustër demokracie. Qëndrimi në sallë do ta përmbushte celebrimin e natyrës së pushtetit. Mendësia totalitare disiplinon. Po, përgjigjet opozita, ne i morëm mësimet. E kundërta duhet të ndodhë. Opozita dhe secili duhet të qëndrojë jashtë këtij universi”.

Në fund Molliqaj ka thënë se përpjekja e partive opozitare për reforma nuk e arsyeton emrin e asaj iniciative nëse nuk reflektojnë ato mbi shkaqet e humbjes, dhe sidomos natyrës së pushtetit, të cilit pushtet ato parti do t’i bëjnë opozitë./Insajderi.com