Molliqaj: Kurti dëshiron gjendje të jashtëzakonshme

Molliqaj: Kurti dëshiron gjendje të jashtëzakonshme

Kreu i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj, ka folur rreth moslejimi të kandidimit të Albin Kurtit për deputet në Kuvendin e Kosovës, duke u shprehur se kreu i  Lëvizjes Vetëvendosje po dëshiron gjendje të jashtëzakonshme, njofton Insajderi.

Ai përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ka shkruar fillimisht se e drejta për të kandiduar për deputet nuk dihet t’i ndalohet askujt, qoftë edhe i atyre që janë dënuar për veprime politike.

Më pas Molliqaj ka shpjeguar se VV-ja dhe Kurti nuk po e kundërshtojnë parimisht ligjin që ndalon deputetët e penalizuar të kandidojnë.

“VV-ja e di që nëse me të vërtetë e paska atë përqindje që po e parashikojnë, askush nuk do të mund ta ndalë Kurtin të bëhet kryeministër. Por VV-ja dhe Kurti po duan GJENDJE TË JASHTËZAKONSHME”, ka vazhduar tutje Moliqaj.

Sipas Molliajt, Gjendja e Jashtëzakonshme Kurtit i’a zgjidh duart për të qenë arbitrar, për të shkelur ligjin dhe kushtetutën, ashtu siç bëjnë regjimet totalitare.

Ai tutje ka shpjeguar se Kurti nuk do t’i shkojë deri në fund konfliktit me KQZ, sepse në këtë mënyrë, duke e pranuar moskandidimin krijon kauzë mobilizimi për ti mobilizuar votuesit e tij drejt Gjendjes së Jashtëzakonshme.

“Dhe në fund, Kurti nuk do ta ndryshoj këtë ligj fare. Përkundrazi, do ta përdorë njësoj si pushteti aktual, për disiplinimin e kundërshtarëve politikë në të ardhmen”, ka vazhduar Molliqaj.

Në fund kreu u PSD-së, ka përkujtuar një deklarim të Kurtit nga e kaluara ku sipas tij lideri i VV-së dhe në platformën e tij e kishte paralajmëruar se “Ne s’do të arrijmë ta marrim pushtetin pa një gjendje të jashtëzakonshme, dhe mbase as ta mbajmë atë po ashtu pa një gjendje të jashtëzakonshme”./Insajderi.com