Molliqaj: Kushdo nga opozita që qëndron në sallë për zgjedhjen e presidentes, e ka pranuar shantazhin e Kurtit

Molliqaj: Kushdo nga opozita që qëndron në sallë për zgjedhjen e presidentes, e ka pranuar shantazhin e Kurtit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se deputetët e opozitës të cilët qëndrojnë në sallën e Kuvendit kur votohet Vjosa Osmani president, nënkupton që e kanë pranuar dhe i janë nënshtruar shantazhit të kryeministrit Albin Kurti, përcjell Insajderi.

Sipas tij, Kurti ka shantazhuar partitë opozitare duke tentuar të ndryshojë Ligjin për Zgjedhje, për ta bërë Vjosën presidente.

Molliqaj ka shtuar se shefi i ekzekutivit po tërhiqet nga ligji sepse ky ishte vetëm shantazh.

“E nëse i zgjedhet presidentja atëherë shantazhi ka pasur efekt! Prandaj kushdo nga opozita që qëndron në sallë për zgjedhjen e presidentes, e ka pranuar shantazhin e Kurtit dhe i është nënshtruar atij.

Një qeveri që fillon me shantazh do të vazhdojë si e tillë. Njëjtë një opozitë që i nënshtrohet sot shantazhit, do t’i nënshtrohet vazhdimisht”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Reagimi i tij ka ardhur pasi ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se të shtunën ka takuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, të cilët ka thënë se i kanë premtuar dhe garantuar që gjithçka ka të bëjë me Ligjin për zgjedhjet do të jetë pjesë e një procesi të ardhshëm dialogimi mes mazhorancës dhe opozitës./Insajderi.com