Molliqaj: Qëllimi i protestës së sotme, përndjekja e kundërshtarëve politikë

Molliqaj: Qëllimi i protestës së sotme, përndjekja e kundërshtarëve politikë

Kryetari i Partisë Socialdemorate, Dradan Molliqaj, ka reaguar ndaj protestës e cila u zhvillua të hënën para Rektoratit të Universitetit të Prishtinë, njofton Insajderi.

Organizimi i protestës për të kërkuar përjashtimin e profesorit universitar, Ardian Kastrati, u bë pasi ky i fundit postoi në shkrim në Facebook, i cili u konsiderua si ofendues ndaj presidentes së sapozgjedhur, Vjosa Osmani.

Por, sipas Molliqajt, protesta e së hënës nuk kishte qëllim luftimin e pabarazive dhe gjuhën seksiste, por përndjekjen e kundërshtarëve politikë.

Në një postim në Facebook, ai është shprehur se protesta është organizuar me qëllim të shkarkimit të bordit të UP-së, “sepse pas ardhjes së pushtetit të ri në Qeveri dhe në Presidencë, duhet të rivendosen raportet edhe me Universitetin, për ta kontrolluar atë”.

“Qëllimi i kësaj proteste nuk është fillimi i një diskutimi dhe organizimi kundër pabarazive që do të shfaqen, por përndjekje e kundërshtarëve politik. Pushteti i ri erdhi edhe me protesta të llojit të ri, që kur është fjala për njerëz të pushtetshëm që cenohen, organizohen brenda 12 orëve, ndërsa në raste kur vriten gratë, dhunohen e denigrohen, në të shumtën e rasteve mbesin në nivel të reagimeve në rrjete sociale. Problemi i këtyre reagimeve është që ato nuk kanë qëllim luftimin e pabarazisë, por kontrollimin e diskursit opozitar”, ka shkruar ndër të tjera Molliqaj./Insajderi.com

Poshtë seksizmi, poshtë gjuetia e shtrigave

Gjuha seksiste dhe bullizmi duhet dënuar, dhe për këtë nuk ka hamendësim,…

Posted by Dardan Molliqaj on Monday, April 5, 2021