Morali paska vdekur

Morali paska vdekur

Kur erdhi në pushtet Edi Rama nxori një tezë që dukej pak e guximshme për kohën, e çuditshme po ashtu, sikur ata dhe ai, ishin për nga natyra, njerëz më të mirë se kundërshtarët. Më të virtytshëm, më të drejtë, më të ndershëm. Kur e kur, ai e nxjerr prapë këtë mendim, kur thotë se nuk jemi të shkëlqyer, por nuk ka më të mirë se ne.

Përtej arrogancës, duhet kurajë shumë e madhe ta shpallësh veten më të mirë se tjetri. Dhe krejt njerëzit që të rrethojnë, më të mirë se ata. Kjo do të thotë t’i japësh vetes atribute të larta. I bie që rilindasit janë qenie humane superiore nga ana etike me të tjerët. Çka do të thotë, forcën e madhe e kanë te morali.

Mirëpo, kjo tezë bie në tokë sapo dalin skandale apo fakte të inkriminimit, apo aferave korruptive. Prej ditës së parë kanë ndodhur histori që kanë treguar se; pse i përkasin një organizate politike, njerëzit nuk janë domosdoshmërisht më të mirë, më të lartë në virtyte se të tjerët.

Është sigurisht vetëm sistemi dhe një vijë e fortë etike dhe morale e udhëheqësit, me të cilën ai nuk bën asnjëherë kompromis, që e bën diferencën.

Tani janë zbardhur përgjimet e reja.

I njëjti Edi Ramë që ka shpallur që prej 2013 e këndej superioritetin e vet dhe të tijve në krahasim me kundërshtarët, si qenie njerëzore më të mirë se ata, thotë se pikërisht morali dhe etika nuk paska më kurrfarë rëndësie.

Ai e ka reduktuar përgjegjësinë e tij në këtë skandal, tek ajo që: A janë apo nuk janë këto që kanë dalë fakte ligjore.

Edhe pse kuptohet fare qartë, edhe nga gurët e zallit se aty më e pakta kemi të bëjmë me një lojë të pisët, por pa dyshim kemi edhe krim zgjedhor, pasi është ngritur një mekanizëm i madh i cili vepron i tëri në paligjshmëri, dhunon dhe ble vota me anë të forcës së pushtetit dhe parave pa fund, sërish kryeministri thotë se të gjitha këto, kanë vlerë vetëm nëse janë prova në gjykatë.

Pra, morali paska marrë fund. Ku shkoi morali i atyre që erdhën si më të mirë se ata, dhe që vazhdojnë të jenë më të mirë, edhe pse jo perfektë.

Është në fakt pikërisht morali, etika, dallimi i qartë mes të mirës dhe të keqes, mes të drejtës dhe të padrejtës, burimi i madh i legjitimitetit. Është morali, vlera e madhe europiane, aty ku janë rrënjët judeo-kristiane.

Në këto ujëra qëndron një qeveri. Nëse e pranon moralin si piketë që duhet ta ndjekë, ajo rri në krye. Përndryshe fundoset.

Nëse morali, etika, dhe vlerat nuk paskan më asnjëfarë vlere, por qëndrojnë vetëm provat ligjore, atëherë shumë mirë një vend mund të qeveriset nga gjykatat, çfarë nevoje ka për qeveritë.

Reduktimi që i bën Rama përgjegjësisë personale, duke e shkëputur veten nga gjithë ai llum bisedash e urdhrash e mekanizmi për ekzekutimin e votës së lirë, është qesharak dhe zor se dikush do t’ia pranojë, edhe pse, në fakt për çudinë e madhe, shoqëria nuk duket aspak e skandalizuar nga ky krim elektoral, po vazhdon e rrufit kafen lagjes, sikur e keqja nuk ka të bëjë me ta.

Me logjikën e Ramës i bie që ai thotë se: Më kërkoni përgjegjësi, nëse me kapni duke kryer një krim me duart e mia. Për asgjë tjetër.