“Mos kërkoni ekspertiza për Demarkacionin, ratifikojeni atë”

“Mos kërkoni ekspertiza për Demarkacionin, ratifikojeni atë”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka inkurajuar Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës që pa vonesa ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, sipas versionit të nënshkruar në vitin 2015.

“Unë qëndroj fuqishëm pas atij nënshkrimi (të marrëveshjes) dhe vlerësoj se ka qenë i drejtë. Ka opinione të ndryshme, por faktet nuk ndryshojnë”, tha Thaçi.

“Kemi vlerësimet e Komisionit shtetëror të Kosovës, ekspertëve ndërkombëtarë, vlerësimeve të NATO-s, SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe nuk e dimë se me kë tjetër të konsultohemi”, tha Thaçi, duke i ftuar Qeverinë dhe Kuvendin të procedojnë tutje me ratifikim pa vonesa.

“Kushdo që kërkon ekspertizë akademike, duke tejkaluar ekspertizat e NATO-s, Uashingtonit e Brukselit, besoj se këto janë të dëmshme. Nëse duam liberalizimin e vizave, duhet të ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në gusht të vitit 2015”, theksoi Presidenti Thaçi.

Komentet e Thaçit vijnë në kohën kur Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Ramush Haradinaj, po provojnë që ta rishikojnë Marrëveshjen e Demarkacionit të vitit 2015, duke e cilësuar atë të dëmshme për Kosovën.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një debati në Prishtinë të organizuar në lidhje me transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.