“Mos u ktheftë kurrë nga Haga, Thaçi e Veseli”, reagon koloneli i FSK-së: Shpifje tendencioze

“Mos u ktheftë kurrë nga Haga, Thaçi e Veseli”, reagon koloneli i FSK-së: Shpifje tendencioze

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Xhevdet Tahiraj, ka reaguar për lajmin e publikuar nëpër media se ka uruar që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, të mos kthehen kurrë nga Haga.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiraj thotë se artikulli me shkrimin “Tahiraj: Mos u ktheft kurrë nga Haga, Hashim Thaçi e Kadri Veseli”, është një shpifje tendencioze e portaleve që prodhojnë lajme të rreme.

Madje në reagimin e tij, Tahiraj ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që të ndërmarrin veprime ligjore kundër prodhuesve të lajmeve të rreme, “të cilat me propagandë po abuzojnë edhe me identitetin dhe reputacionin tonë”.

“Ky demant ishte i domosdoshëm nga ana ime për ta ruajtur dinjitetin tim dhe të familjes sime, por edhe për të rikonfirmuar publikisht respektin tim të thellë për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, të cilët janë heronj të luftës dhe paqes”, ka shkruar më tutje ai. /Insajderi.com