“Mosakredtimi i universiteteve mesazh për institucionet e arsimit, politikanët kanë interesa biznesore”

“Mosakredtimi i universiteteve mesazh për institucionet e arsimit, politikanët kanë interesa biznesore”

Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci ka deklaruar se mosakreditimi i tri universiteteve publike dhe disa kolegjeve për një vit, është mesazh për të gjitha institucionet e arsimit të lartë se vërtetë duhet të fillojë t’i përmbushin standardet e cilësisë.

Në një intervistë për KosovaPress, Pupovci ka thënë se disa nga politikanët kanë interesa biznesore në këto institucione arsimore, dhe se ata kanë ushtruar presion tërë këto vite që akreditimet të bëhen ashtu siç janë bërë.

Pupovci duke komentuar vendimin e Këshillit të Cilësisë ka thënë se nuk është befasuar pasi ka qenë një numër i konsiderueshëm i institucioneve të arsimit të lartë që kanë probleme me përmbushjen e standardeve të caktuar.

Ai tha se në Këshillin e Cilësisë ka nisur një vendimmarrje e pavarur.

“Konsideroj se ky vendim bazohet në mendimet e dhëna nga ekspertët. Tani po e kuptojmë se nuk paskan qenë ekspertët e njëjtë në të gjitha institucionet përkundër asaj që u mendua në fillim, pra kjo ia shton krebilitetin vendimeve sepse nuk mund të flitet për anshmëri të dy apo tre personave, por flitet për kritere më strikt të cilat ka kohë që janë përcaktuar dhe tani këto institucione e kanë një vit që t’i adresojnë vërejtjet, pastaj vjen akreditimi i dytë dhe nëse ndodhë që edhe një herë ato të mos akreditohen, atëherë sipas ligjit ato duhet të mbyllen“, ka thënë ai.

“Ky është një mesazh për të gjitha institucionet e arsimit të lartë se vërtetë duhet të fillojnë t’i përmbushin standardet e cilësisë edhe në ato fusha ku konsiderojnë që e kanë të vështirë ta bëjnë një gjë të tillë sepse jemi pjesë e një hapësire evropiane të arsimit të lartë dhe Kosova nuk mund përjetësisht të veçohet nga të tjerët“, ka shtuar ai.

Pupovci ka shtuar se nuk ka informatë që anëtarët e KSHC-së kanë interesa biznesore në ndonjë nga institucionet private ose publike, por ka shtuar se interesa biznesore dhe presion ka nga politika.

“Nga ana tjerët ne në politikë kemi njerëz që kanë interesa biznesore e të cilët kanë ushtruar presion tërë këto vite që akreditimet të bëhen ashtu siç janë bërë“, tha ai.

Pupovci duke komentuar deklaratat e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi për anëtarët e Këshillit, ka thënë se nuk sheh që ka konflikt interesi, por nëse ka – ekziston rruga juridike.

“Këshillit Shtetëror i Cilësisë është organ i pavarur, domethënë aty nuk duhet të ndërhyjë as ministria, as Qeveria, as Kuvendi sepse ai organ është zgjedhur për të marrë vendime në mënyrë të pavarur nga ndikimet politike dhe normalisht çdo shtet ka politika arsimore dhe në kuadër të këtyre politikave do të pritej që ministria t’u ndihmojë universiteteve që të arrijnë standardet, respektivisht para se të vijë procesi i akreditimit institucional, të kontrollojë a i plotësojnë të gjitha kushtet, a kanë nevojë për ndonjë ndihmë shtesë. Kur të merret vendimi atëherë është e kotë, të ndërhysh në punët e një organi të pavarur është si të ndërhysh në punën e gjykatave tash”, ka shtuar Pupovci.

Sipas tij, një ndërhyrje në vitin 2017, ka kushtuar me përjashtim nga EQAR-i dhe me degradim të statusit të Agjencisë në ENQA, nga anëtare me të drejta të plota në anëtare nën vëzhgim dhe është në proces të vlerësimit. Ai ka shtuar se ENQA e ka sjellë një raport preliminar, pa rekomandim, ku ka edhe pika kritike, por ka edhe lëvdata për këto veprime dhe në shtator ENQA do ta marrë vendim nëse Agjencia e Akreditimit do të jetë edhe më tutje anëtare e saj, derisa beson që çdo ndërhyrje politike që e cenon pavarësinë e Agjencisë do të rezultojë me marrjen e vendimit për përjashtim nga ENQA. Sipas tij, kjo sjell izolimin e arsimit të lartë të Kosovës nga arsimi i lartë në Evropë.

Kurse, pati disa kritika edhe për Testin e Diturisë.

“Aty ka pas jashtëzakonisht shumë gabime dhe kanë qenë pyetje të cilat ndonjëherë i kanë pas nga dy-tri përgjigje të sakta, ndonjëherë nuk e kanë pas asnjë përgjigje të saktë. Pra nuk ka pas përgatitje të duhura dhe kjo e ka komprometuar këtë proces dhe në fund nuk ka dal një test i njohurisë, por ka dal një test sa për të treguar se ekziston një institucion i cili quhet koordinator për arsim, kulturë dhe se ai institucion punon diçka nëpër shkolla, pra thjesht nuk e shoh dobinë e atij testi“, tha ai.

Pupovci ka thënë se nuk është bërë ndonjë analizë e thellë e tregut të punës. Ngritja e pagave, sipas tij, nuk ndikoi në ngritjen e cilësisë pasi nuk është ndërlidh me asnjë lloj kërkese për përgjegjësi shtesë.