Moti jo i mirë, dukshëm më pak vizitorë sivjet në Pishinën e Gërmisë

Moti jo i mirë, dukshëm më pak vizitorë sivjet në Pishinën e Gërmisë

I bënë të gjitha përgatitjet për ta filluar sezonin e verës, por koha jo e mirë ndikoi në mbarëvajtjen e punës së tyre. Bëhet fjalë për bizneset verore, në veçanti për pishinën e Gërmisë, e cila e ndjeu më së shumti mungesën e temperaturave të larta.

Zyrtari për marketing nga kompania “Sport Marketing”, e cila e bën menaxhimin e pishinës, Emrush Hyseni tha se përkundër përgatitjeve e dëshirës së tyre për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, faktori mot ka ndikuar që këtë vit të ketë numër dukshëm më të vogël të vizitorëve.

Si në asnjë vit tjetër, Hyseni thekson se këtë vit pishina nuk ka funksionuar rreth 17 ditë për shkak të temperaturave të ulëta e motit me shi.

“Ne si staf i kemi bërë të gjitha përgatitjet me prit fluksin ma të madh të qytetarëve si e kemi traditë edhe viteve tjera, që t’u ofrojmë shërbime cilësore që ata me ato shërbime tona që i ofrojmë të ndahen të kënaqur dhe në fund ne me atë pagesë që e bëjnë ata në pishinën e Gërmisë”, tha ai.

Si njëri ndër punëtorët më të vjetër të kompanisë, Hyseni tha se ky ndryshim i madh i motit dhe ndikimi i saj në numrin e vizitorëve po ndodhë për herë të parë, raporton KP.

Duke e krahasuar me vitin e kaluar, ai tha se kane rreth 25 mijë vizitorë më pak. Ndërsa, si mesatare për këto ditë sa kanë punuar është rreth 400 vizitorë në ditë, kurse, në vitet e kaluara kishin vizitorë deri në rreth 6 mijë në ditë.

“Që d.m.th. në përqindje as 40% të planifikimit s’kemi mund me realizuar. Kemi një mesatare rreth 400 vizitor në ditë, d.m.th, kemi prej 2 vizitorëve deri në 3 mijë e 500, një ditë ka qenë shumë e mirë e vikendit”, tha ai.

Si edhe çdo vit tjetër pishina posedon ekipin mjekësor, stafin higjienik, stafin e notit, stafin e shpëtimtarëve dhe kursin e notit.

Hyseni tregoi se këtë vit ka ndryshim në çmime. Sipas tij, gjatë vikendit çmimet për të rritur do të jenë 3 euro, ndërsa, gjatë ditëve të punës nga 2 euro. Kurse, për fëmijët pagesa mbetet e njëjtë.

Për kushtet që i ofron kjo pishinë, Hyseni tha se qytetarët janë shumë të kënaqur dhe se edhe ata kontribuojnë në mirëmbajtjen e ambientit.

Qytetarë kanë deklaruar se pishina ofron kushte të mira, në veçanti për fëmijët.